Mbretëria e Bashkuar dhe BE sanksionojnë 178 separatistë rusë që ‘ndihmojnë dhe mbështesin’ Putinin në Ukrainë. 

Britania e Madhe po sanksionon 178 individë të cilët mendohet se “mbeshtesin rajonet ilegale të shkëputura” në Ukrainën lindore, ka njoftuar Sekretarja e Jashtme Liz Truss. 

Ministrja e Jashtme ka planifikuar prej kohësh të fokusohet tek ata që qëndrojnë pas të ashtuquajturave Republika Popullore të Donetsk dhe Luhansk, të mbështetur nga Rusia, dhe zonja Truss tha se bombardimi i një stacioni hekurudhor në qytetin lindor të Ukrainës, Kramatorsk, kishte nxitur qeverinë në veprim. 
Sanksionet po bashkërendohen me Bashkimin Evropian, tha Ministria e Jashtme. 
Rusia i ka ripërqendruar përpjekjet e saj ushtarake javët e fundit, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, sipas inteligjencës perëndimore, kërkon të ndërmarrë një ofensivë në rajonin e Donbasit pas një sulmi të dështuar në Kiev.