Bizneset në vend po hasin vështirësi për të paguar detyrimet. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se borxhi tatimor arriti në fund të vitit që lamë pas, në 134,9 miliardë lekë, duke shënuar kështu një rritje prej 10.2 për qind në raport me 2020-n.
Nga të dhënat rezulton se 60 për qind e shumës vjen nga detyrimet e prapambetura, 30 për qind nga gjobat dhe pjesa tjetër nga kamatëvonesat.
Administrata nuk ka ditur të organizojë punën për të grumbulluar detyrimet dhe penalitetet. Mund të jetë edhe situata e mungesës së likuiditeteve”, thotë Sotiraq Dhamo, ekspert për ekonominë.
Të dhënat e “tatimeve” tregojnë se pjesa dërrmuese e borxhit tatimor është shkaktuar nga bizneset me status pasiv të cilat zënë 65 për qind të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë 88,1 miliardë lekë.
Në këto kushte, ekspertët këshillojnë faljen e një pjese të detyrimeve që bizneset kanë. “Mund të ndiqet rruga që të kërkohet që për bizneset të cilat kanë shumë të vogël, deri në 1-2 milionë lekë, mund të kërkohet të falen gjobat dhe detyrimet të kërkohet pagesa e një pjese”, thotë Dhamo.
Situata e vështirë që bizneset po kalojnë duket edhe te numri i sipërmarrjeve që po “mbyllin qepenat”. Vetëm në 2 muajt e parë të vitit të dhënat tregojnë se 118 subjekte në vend janë çregjistruar.