Komisioni Evropian akordon çmim për Kryetarin e bashkisë Elbasan
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja është vlerësuar nga Komisioni Europian me çmimin “Kryetari më miqësor me romët 2022”.
Për herë të parë Bashkimi Europian akordon një çmim të tillë, për Bashkitë e vendit. Është vlerësuar Bashkia Elbasan pasi gjatë viteve të fundit, i është dhënë një prioritet Komunitetit Rom, në gjithpërfshirje, duke arritur rezultate të dukshme në proçeset vendimmarrëse lokale, investimet në infrastrukturë, arsim dhe punësim. Sot fëmijët Rom, frekuentojnë rregullisht shkollën, të rinj e të reja janë të punësuar në administratë publike, dhe jo vetëm, njëri prej të cilëve është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak, ç’ka e ka fuqizuar komunitetin për të ndikuar në vendimmarrjet publike.
“Në tre vitet e fundit, nga koha kur jam zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, kam patur mundësinë të kontribuoj dhe të dëshmoj arritjet në rigjallërimin dhe zhvillimin e minoritetit Rom. Mandatin tim e kam nisur me hartimin dhe vënien në zbatim të Planit Vendor për Integrimin e Minoriteteve Rome dhe Egjiptiane 2019-2022. Një dokumenti prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës”, tha në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja.

Çmimi “The Most Roma Friendly Mayor” vjen si një përpjekje dhe punë e stafit të Bashkisë si edhe e partnerëve lokalë të cilët kanë punuar për të ndërtuar një mjedis ku të gjitha minoritetet të mësojnë, zhvillohen dhe përdorin gjuhën e tyre amtare.
Duke ju drejtuar anëtarëve të Parlamentit Europian, Llatja renditi edhe disa sfida të cilat mund të përballohen përmes ndjekjes së një strategjie gjithpërfshirëse, siç janë, arsimi dhe dialogu ndërkulturor, punësimi dhe arsimi profesional, lufta kundër gjuhës së urrejtjes, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe integrimi urban etj.

Elbasani, një qytet krenar me një histori krenare, do të vazhdojë të mbështesë komunitetin Rom përmes angazhimit të vetë komunitetit, si edhe qytetarëve të angazhuar në kauzën e përbashkët.
Bashkia Elbasan, është pjesë e Programit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “ROMACTED: “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit Rom në nivelin vendor”.