Një trafikant maltez i cili ishte i lidhur me klanet siciliane është arrestuar këtë fundjavë pas një urdhër arresti e lëshuar nga prokuroria e Katanias shoqëruar edhe kërkesën për ekstradim.
Gjatë seancës së parë, e cila u mbajt dje, gjyqtarët refuzuan kërkesën për lirim me kusht dhe shtynë seancën gjyqësore për në datën 20 qershor për të vendosur mbi ekstradimin e tij.
56-vjeçari i quajtur John Spiteri dhe i njohur ndryshe si ‘Gianni’, kërkohet në Itali për krijim të një grupi të strukturuar kriminal të stilit mafioz që trafikonte kokainë dhe marihuanë.
Në vitin 2021, trafikanti maltez ishte pjesë e grupit prej 21 personave që u arrestuan në Itali në kuadër të ‘Operacionit La Vallette’ kundër një organizate kriminale që trafikonte drogën nga Shqipëria dhe Bullgaria për në Siçili dhe Maltë.
Gjatë operacionit, i cili në atë kohë u krye nga mbi 100 agjentë të Guardia di Finanzas u sekuestruan gjithsej 430 kilogramë kanabis, hashash dhe kokainë, shkruajnë mediat italiane.
Sipas hetuesve italianë dhe nisur nga përgjimet e tyre rezulton se Spiteri ishte lidhur me italianin Rosario Amico për të organizuar trafikun e drogës nga Pulia në Maltë midis viteve 2018 dhe 2019 me një makinë me targa malteze që drejtohej fizikisht nga një tjetër maltez, bashkëpunëtori i Spiterit, 55-vjeçari Fabian Catania, i akuzuar për trafik droge në vitin 2018 dhe bashkë me shqiptarin Eriseld Hoxhaj, i njohur si ‘Riku’.
Për të shmangur ekstradimin, mbrojtësi i Spiterit vuri në dukje se krimet e tij në Maltë rrezikon burgim të përjetshëm, ndërsa në Itali ai mund të dënohet me vetëm 24 vjet për grup të strukturuar kriminal dhe 13 vjet për trafik droge.