Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi dje se “charter”-i personal që Kryeministri Edi Rama përdor për udhëtimet e tij jashtë vendit, lidhet me dinjitetin e një shteti dhe jo me situatën e zjarreve.

Gjatë debateve në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Peleshi deklaroi se nuk ia vlen që një vend si Shqipëria të investojë 50 milionë euro për një avion për shuarjen e zjarreve, duke shtuar edhe kostot e mirëmbajtjes. “Ne nuk kemi helikopterë të posaçëm për shuarjen e zjarrit. Mendoj se një vend i vogël si Shqipëria s’ka leverdi që të investojë për një helikopter për shuarjen e zjarreve. Një avion “Kanader” kushton 50 milionë euro për ta përdorur një muaj, s’mund t’i investojmë atje për ta përdorur një muaj.

Ne mirëmbajmë flotën tonë ajrore jashtë vendit, ndaj kostot janë edhe më të mëdha”, tha Peleshi. Kjo deklaratë e ministrit të Mbrojtjes nuk është pritur mirë nga deputetët e opozitës, ku deputeti i PD-së, Ervin Salianji, pyeti ministrin nëse ia vlen që shteti të shpenzojë për “charter”-in e Kryeministrit me dhoma gjumi e salltanete miliona euro dhe jo për emergjencat. “Si anëtar i Këshillit të Ministrave, a ia vlen që Kryeministri të ketë një charter personal me salltanete, me dhoma gjumi, të cilat kushtojmë miliona euro në vit, por nuk i sjellin ndonjë dobi publikut”, pyeti Salianji.

Ndonëse u shpreh se nuk është një pyetje nëse duhet apo jo një charter qeveritar, Peleshi tha se charter-i i kreut të qeverisë lidhet me dinjitetin e një shteti dhe jo helikopterët për shuarjen e zjarreve. “Refuzoj t’i përgjigjem pyetjes nëse duhet një charter qeveritar. Është një pyetje retorike. Po flasim për emergjencat. Charter-i ka lidhje me dinjitetin e një shtetit, ndërsa helikopterët janë diçka tjetër. Kjo nuk është pyetje për mua, mund ta adresoni ku të doni”, tha Peleshi. Për sa i përket debatit mbi gatishmërinë e helikopterëve Kugar, ministri Peleshi u shpreh se 3 nga katër janë për shërbime, ndërsa tani shteti “nuk paguan kosto parkimi për helikopterin që është në Itali”.

FIKJA E ZJARREVE

Ministri i Mbrojtjes u shpreh përpara deputetëve se jo çdo zjarr duhet të fiket me helikopter dhe ky mentalitet duhet të hiqet pasi ka kosto të lartë për buxhetin e shtetit, ndërsa vlerësoi si vendimtare forcën tokësore për shuarjen e zjarreve. “Nuk është e thënë që çdo zjarr duhet të fiket me helikopter, madje është e pamundur të fiket me helikopter dhe është e panevojshme. Ua them me përgjegjshmëri që forca vendimtare në fikjen e zjarrit është forca tokësore, zjarrfikësit nga toka dhe forca tokësore”, tha Peleshi, duke shtuar se:

“Duhet ta luftojmë mentalitetin që zjarrin e shuan ushtria me helikopter. Problemi fillon që nga reagimi i pushtetit vendor, nga komuniteti dhe kryeplaku i fshatit. Kemi nevojë të kemi me shumë vullnetarizëm. Ne jemi hallka e fundit. Ne nuk kemi kapacitet për t’i përballur të vetëm të gjithë emergjencat. Zjarrfikëset i kanë bashkitë”. Për sa u përket investimeve, ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se brenda disa muajsh do të kemi 4 helikopterë “Black Hawk”.

“Ne presim lëvrimin e një kontrate për blerjen e dy helikopterëve ‘Black Hawk’ që janë e ardhmja e forcës sonë ajrore. I kemi mbaruar pagesat, por presim prodhimin, që kërkon kohën e tij. Brenda disa muajsh do kemi 4 helikopterë të tillë. Nga shtatori e në vazhdim, në bashkëpunim me SPA, Agjencia e Prokurimit të NATO, do të blejmë orë fluturimi në dispozicion. Kjo do të thotë që në vend që ta mbaj avionin këtu stok, që kushton miliona euro mirëmbajtje në vit, unë kam orët e blera në një shtet tjetër dhe që më përgjigjet në moment.

Ne po përgatisim 12 pilotë. Sot 8 prej tyre janë certifikuar, 4 po bëjnë orët e fluturimeve. Asnjë pilot nuk është hequr nga puna pse nuk është socialist”, u shpreh ministri, i cili bëri të ditur se TAP ka dhuruar 16 mjete zjarrfikëse për 10 bashki të vendit. Nisja e cilësuar si inovative prej tij, u kundërshtua nga deputeti Flamur Noka, i cili tha se orët e fluturimit nuk janë zgjidhje, pasi një shtet do të fikë zjarret e tij, pastaj do të ofrojë ndihmë apo shërbim me pagesë.