Parandalohet nga Policia, përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti për motive të dobëta.

Arrestohet në flagrancë 35-vjeçari që kanosi me armë zjarri dhe me thikë, 2 shtetas të tjerë.

Sekuestrohen arma e zjarrit dhe thika.

Ditën e djeshme është marrë njoftim se në fshatin Duzhë, Gramsh, shtetasi E. M. po konfliktohej me shtetasit I. Ll. dhe A. Z., për motive të dobëta dhe gjatë konfliktit, shtetasi E. M. i kishte kanosur me armë zjarri dhe mjet prerës (thikë), këta 2 shtetas.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 35 vjeç, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri (pushkë), një sasi municioni luftarak dhe 1 thikë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.