Shtrenjtimi i lëndëve të para ka rritur kostot e prodhimit të pijeve freskuese nga 18 deri në 25%. Prodhuesit e mëdhenj të markave ndërkombëtare pohojnë se situata është alarmante, ndërsa konflikti në Ukrainë ka shtuar pasigurinë financiare. Në treg, në tërësi, çmimet e pijeve freskuese për konsumatorin janë rritur deri në 20%. Shtrenjtimi ka tkurrur konsumin. Edhe eksodi i të rinjve ka ndikuar te rënia e shitjeve
Dorina Azo
Shtrenjtimi i lëndëve të para i çmimit të energjisë dhe naftës ka prekur edhe prodhuesit e pijeve freskuese. Për të përballuar shtimin e kostove prodhuese nga 18 deri në 25% më shumë se vjet, i cili nisi që në pandemi dhe vijoi me luftën Rusi-Ukrainë, operatorët vendas janë detyruar të rrisin çmimet për konsumatorin.
Për pasojë, konsumi është tkurrur, duke favorizuar rritjen e importeve. Konsumi i vakët, edhe pse jemi në stinën e verës, ka ndikuar edhe në mbylljen e një prej kompanive të pijeve freskuese. Importet e pijeve freskuese vijojnë të kenë tendencë rritëse, ndërsa prodhimi në 3 vitet e fundit mbetet në nivele të njëjta. Emigrimi, që vijon të mbetet problematikë e mprehtë, ka detyruar disa sipërmarrje të tkurrin prodhimin.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2021, prodhimi vendas ka shënuar rritje të lehtë prej 2,5% në krahasim me vitin e kaluar. Nga viti 2013 deri në 2016, tendenca e prodhimit ka pasur rritje të lehtë. Piku i prodhimit është shënuar në vitin 2018 dhe 2021. Prodhimi i vitit 2021, në krahasim me 2013, është rreth 48% më i lartë.
Për vitin 2022, prodhuesit e pijeve freskuese janë pesimistë, pasi i shqetëson rritja e kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, për shkak të tendencës globale të çmimeve. Ndërsa për kompani të tjera, pengesë për rritjen e prodhimit është edhe mungesa e fuqisë punëtore dhe emigrimi i popullatës.
Presidenti i kompanisë më të madhe të pijeve freskuese, Coca-Cola Bottling Shqipëri, CCBS, Luca Busi, tha për “Monitor” se rritja e kostove të prodhimit shënon shifra rekord në 18% krahasuar me një vit më parë.
“Numra vërtet të rëndësishëm, që e vendosin të gjithë sistemin në krizë. Mund të konfirmojmë një situatë vërtet alarmante. Fatkeqësisht, ky moment po sheh rritje të vazhdueshme të kostove, në të gjitha fushat: spekulimet në lidhje me pandeminë dhe luftën kanë arritur nivele me të vërtetë shqetësuese”, – nënvizon presidenti i CCBS, Luca Busi. Ai tha se rritja nis nga “lëndët e para si sheqeri (një mall strategjik agroushqimor për sektorin tonë) dhe arrin në preformat rPET (100% plastikë e ricikluar), duke kaluar nëpër të gjitha ato materiale të dobishme për paketim.
Dhe jo vetëm kaq, këtë vit janë rritur edhe materialet për procesin e mirëmbajtjes dhe pastrimit të linjave teknologjike, kosto që lidhen me procesin e prodhimit dhe logjistikën, kjo e fundit, në lidhje me transportin karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e karburantit. Është shumë e vështirë për ne, në këto kushte, të mbajmë në ekuilibër planin ekonomiko-financiar, jo vetëm për rritjen e kostove, por edhe për blerjen e materialeve të nevojshme për prodhim, për shkak të burimeve të kufizuara apo afateve shumë të gjata të dorëzimit.
Jemi vërtet të lodhur, duke e kaluar këtë situatë. Ekziston një linjë e dytë e infektimit, jo më pak e rrezikshme se ajo shëndetësore, e cila po shkakton efekte shumë serioze në stabilitetin ekonomik botëror: një flluskë spekulative në tregje, po aq e rrezikshme dhe e dëmshme sa Covid-19 është dhe konflikti ukrainas”, pohoi ai.
Presidenti i CCBS, Luca Busi.
“Numra vërtet të rëndësishëm, që e vendosin të gjithë sistemin në krizë. Mund të konfirmojmë një situatë vërtet alarmante. Fatkeqësisht, ky moment po sheh rritje të vazhdueshme të kostove, në të gjitha fushat: spekulimet në lidhje me pandeminë dhe luftën kanë arritur nivele me të vërtetë shqetësuese”.
Përfaqësues të grupit “AGNA” që prodhojnë në Shqipëri markat e pijeve freskuese, si: “Pepsi”, “7 Up”, “Ivi”, “Lipton” pohuan për “Monitor” se po përballen me mbi 25% të rritjes së kostove nga shtrenjtimi i lëndëve, si: sheqerit, plastikës, energjisë, karburantit dhe rritja e pagave të punonjësve.