Bashkitë nuk heqin dorë nga tenderat pa garë dhe pa procedurë konkurimi. Një i tillë është aplikuar në Elbasan ku institucioni që drejtohet nga Gledian Llatja ka miratuar pa garë tenderin prej 19 milionë lekësh për përmirësimin e infrastrukturës në zona informale që janë në proces legalizimi. Procedura bëhet dhe më e dyshimtë pasi tenderi në fjalë fitohet nga kompania me pronar Nuri Ballën, i cili në vitin 2017 ka qenë subjekt i hetimeve të prokurorisë për burimin e pasurisë.
Tenderët pa garë janë kthyer tashmë në metodë të zakonshme, veçanërisht nga krerët e pushtetit vendor.
Bashkia e Elbasanit e drejtuar nga Gledian Llatja i ka dhënë 18.6 milionë lekë ose rreth 170 mijë euro kompanisë “Ergi”, në një procedurë ku nuk ka pasur konkurim.Bëhet fjalë për tenderin e përmirësimit të infrastrukturës në zona informale që janë në proces legalizimi.
Sipas dokumenteve zyrtare në process ka marrë pjesë vetëm një kompani dhe detyrimisht është shpallur edhe fitues me siguri pasi autoriteti kontraktual nuk ka pasur vërejtje për përmbushjen e kritereve.
Për më tepër, kompania ka kërkuar për të realizuar punimet sa 94% e fondit limit.
Sipas të dhënave, kompania ne fjalë është në pronësi të Nuri Ballës i cili në vitin 2017 ka qenë nën hetim prej prokurorisë së elbasanit.
Në atë kohë akuza nisi të ashtuquajturin megaoperacion hetimor për burimin e pasurisë së 67 personave, midis të cilëve gjendeshin edhe të afërm të kryebashkiakut Qazim Sejdini.
Lista voluminoze përmbante edhe emra të biznesmenëve të ndryshëm dhe të njohur si të fuqishëm në Elbasan, ku ndër ta ishte edhe Nuri Balla.
Por duket se dhe ky aksion nuk ka sjellë rezultat teksa bashkia elbasan ka shënuar tenderin ë radhës pa garë.
Ora news