Ministri konservator britanik Graham Stuart është distancuar nga deklaratat e koleges së tij, ministres së Brendshme Suella Braverman e cila tha se Britania e Madhe “po pushtohet” nga emigrantët e paligjshëm shqiptarë, duke nxitur edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi të ndalohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Ministri Graham Stuart pranoi se “gjuha e papërshtatshme” është përdorur në debatin e emigrantëve pas kritikave të Ramës për Ministren e Brendshme britanike.
Ministrja Braverman është kritikuar pasi foli për një “pushtim” në bregdetin jugor të vendit duke bërë përgjegjës shqiptarët. Në fjalën e saj para deputetëve ajo u shpreh se ka patur një “rritje” të numrit të shqiptarëve që mbërrijnë me varka të vogla dhe se shumë po abuzojnë me “ligjet tona moderne të skllavërisë”. Rama u shfaq në një intervistë në BBC Newsnight, ku me një gjuhë të ashpër i kërkonte qeverisë britanike të gjente “kokat e kurbanit” për polikat e saj të dështuara.
“Mendova se erdha në një pikë që ishte e pamundur të mos reagoja sepse ishte vërtet turpëruese për qytetërimin tonë të dëgjoja të gjitha fjalët e çmendura të hidhen në ajër”, tha ndër të tjera Rama.
I pyetur për kritikat e Ramës në Sky News, ministri Britanik për Klimën dhe Biznesin Stuart u shpreh se presioni i situatës ka çuar në një gjuhë të papërshtatshme.
“Jam mirënjohës për punën që po bëjmë me shqiptarët, ata kanë dërguar oficerë të policisë kufitare për të përshpejtuar procesin, kemi krijuar një sistem për të kthyer shqiptarët nëse janë azilantë ilegalë”, tha ai.
“Pra ne po përpiqemi të bashkëpunojmë, por qartësisht ka presion. Mund ta shohësh nga këshilltarët, anëtarët e parlamentit, mund ta dëgjosh nga njerëzit dhe gazetarët në vend. Mund të na çojë në një gjuhë që shpeshherë është e papërshtatshme por ia vlen të theksojmë mirënjohjen tonë ndaj qeverisë shqiptare për bashkëpunimin e saj”, tha Stuart.