Gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu i jep fund karrierës 20-vjeçare në drejtësi, dha dorëheqjen sapo iu afrua përballja me Vetingun. Në 2017 u pezullua nga KLD pas publikimit të një videoja për të liruar një person me 2 mijë euro, por i rikthye në sistem pasi abuzimi nuk u provua

Gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu i ka dhënë fund karrierës 20-vjeçare në sistemin e drejtësisë, duke dhënë dorëheqjen. Zonja Fetahu pretendon se është sëmurë pasi Komisioni i Vetingut e ka njoftuar për t’u paraqitur në datën 15 nëntor 2022, në seancë dëgjimore, për t’u njohur me rezultatet e hetimit gati dyvjeçar. Procesi i Vetingut për gjyqtaren e Elbasanit ka nisur që në dhjetor të vitit 2020. Komisioni i Vetingut e kishte ftuar për t’u paraqitur ditën e djeshme në seancë dëgjimore. Gjyqtarja Pajtime Fetahu nuk ishte e pranishme, por përfaqësohej nga avokatja Regleta Panajoti. Kjo e fundit ka qenë gjyqtare, por është përjashtuar përt15 vite nga drejtësia me vendim të KPA-së, pasi dha dorëheqjen nga sistemi.

Regleta Panajoti kërkoi dje nga Komisioni i Vetingut për të ndërprerë procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Pajtime Fetahu, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga funksioni i gjyqtares. Dorëheqjen Pajtime Fetahu e ka motivuar me një gjendje jo të mirë shëndetësore si dhe me daljen në pension të parakohshëm. Gjatë seancës së djeshme dëgjimore, trupi gjykues tha se gjyqtarja e Elbasanit nuk ishte e qartë se pse e kishte dhënë dorëheqjen, pasi një herë thoshte për dalje në pension të parakohshëm, dhe një diku tjetër për dalje në pension të detyrueshëm. Komisioni i Vetingut do të vendosë se si do të procedojë me gjyqtaren, nëse do ta shkarkojë nga detyra, do vlerësojë mbushjen e moshës së pensionit apo do ta përjashtojë me 15 vite nga sistemi. 

Pajtime Fetah e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 pranë Gjykatës së Elbasanit. Vitin e kaluar, Pajtime Fetahu iu nënshtrua një procedimi disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për cenim të figurës së gjyqtarit dhe paanshmërisë në gjykim. Në fund, KLGJ-ja ndëshkoi gjyqtaren duke i ulur pagën për 6 muaj me 20 %.

Në shkurt të vitit 2017, Këshilli i Lartë i Drejtësisë pezulloi nga detyra gjyqtaren Pajtime Fetahu, pasi u kap nga kamerat e një emisioni televiziv, ku gjatë një bisede me një efektiv policie, gjyqtarja kërkonte 2 mijë euro për lirimin e një të burgosuri me emrin Kristjan Leka.

Pezullimi i gjyqtares erdhi pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi pezullimin e përkohshëm nga detyra, të gjyqtares deri në përfundimin e procedimit penal në ngarkim të saj. Menjëherë pas transmetimit të filmimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet, ndërkohë që urdhëroi dhe arrestimin e dy sekserëve, shtetasve Enver Disha punonjës policie dhe edhe ish-oficeri i burgjeve Behar Kola që bënte edhe rolin e sekserit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Në shtator të po atij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi çështjen penale për gjyqtaren, me arsyetimin se nuk u provua përfshirja e gjyqtaret në korrupsion. Çështja për dy sekserët u transferua në prokurorinë e zakonshme. Me mbylljen e dosjes, në maj të vitit 2018, KLD-ja e riktheu Pajtime Fetahun në drejtësi.

Në vitin 2019, Dafina Peci, banore e fshatit Gjinar në Elbasan, akuzoi gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, se ka falsifikuar një vendim, duke rritur në mënyrë fiktive sipërfaqen e tokës së saj në Gjinar. Për të njëjtën çështje, sipas saj, Pajtime Fetahu ka dhënë dy vendime identike, por me sipërfaqe toke të ndryshme. Gjyqtarja u lakua sërish në prill të vitit 2020, pasi liroi nga burgu dy herë Artan Drizën, i kapur me 81 doza heroinë, të gatshme për t’u shpërndarë tek konsumatorët. Kur Dirza theu arrestin shtëpiak, Fetahu e liroi sërish.

Shqiptarja.com