Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur në lidhje me rivlerësimin e masave kufizuese në prag të festave, Manastirliu tha se ky është një vendim që do duhet të merret nga Komiteti i Ekspertëve duke vlerësuar edhe indikatorët e tjerë të situatës së pandemisë në vendin tonë.

Ministrja theksoi se arma që të gjithë kemi në dorë tani është vaksinimi, duke shtuar se situata e imunizimit në vendin tonë është e qëndrueshme. Manastirliu deklaroi se qeveria nuk do të ndalet derisa çdo qytetar të jetë i mbrojtur nga virusi.

“Dua të them që vendimet merren nga komiteti i ekspertëve. Situata po ndiqet në mënyrë dinamike. Duhet të jemi të kujdesshëm për masat duke rivlerësuar masat që kemi, Esenciale është vaksinimi si armë që kemi kundër virusit apo edhe varianteve që qarkullojnë siç është edhe Omircon. Priten informacione nga institucionet ndërkombëtare për të parë sa i rrezikshëm është ai. Vaksina është arma që ne kemi. Jemi sot këtu edhe për të vijuar fushatën e vaksinimit duke synuar që vaksinimi të shtrihet sa më shumë te të rinjtë.

Shqipëria ka një mbulesë vaksinale që po rritet dita ditës. Është situatë e qëndrueshme e vaksinimit në Shqipëri. Ne nuk do të ndalemi derisa çdo qytetar të jetë i mbrojtur përmes vaksinimit. Fushata e vaksinimit ka disa nivele të operimit. Jemi në një nivel të ri. Prej disa muajsh jemi derë më derë për qytetarët që nuk kanë mundur të shkojnë për t’u vaksinuar. Shëndeti qëndron në majë. Qeveria shqiptare ka siguruar dozat e vaksinave për popullatën dhe ne po ecim me hapa të qëndrueshëm”, tha ajo.