Kandidatja për kryetare në PD Edith Harxhi ka votuar në degën e kësaj force politike në njësinë 5 në Tiranë, ku u shpreh e bindur se do të jetë fituese e garës. E megjithatë e pyetur nëse do të largohet në rast humbje, Harxhi tha se beteja për hapjen e PD-së që nisi sot nuk do të ndalet për asnjë çast.
Edith Harxhi:
PD është një aset, është një pasuri kombëtare, sot është dita e demokratëve, uroj shumë që të ketë një pjesëmarrje masive, pasi ne sot votojmë reformimin e PD-së. Absolutisht që mendoj se në radhë të parë do të fitojnë demokratët, jam e sigurt që vota e tyre do të jetë për ndryshimin.
Unë dua të bëj një thirrje për zotin Basha, demokratët duhet të jenë në lista, janë penguar themelues të PD-së që të votojnë, me pretendimin se nuk kanë qenë aktiv në fushatë. Kjo nuk është normale, ndryshimi ynë do të sjellë votën e hapur për të gjithë shqiptarët, beteja ime fillon sot.
Absolutisht që unë do të vazhdoj aktive edhe pas 30 vitesh, ju thashë që beteja ime fillon sot.
Votën për kryetarin e PD-së mund ta hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie. Të përjashtuar nga vota do të jenë demokratët që sipas kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana kanë bërë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse ata rezultojnë anëtarë të PD. Nga ana tjetër, Gjana tha se do të lejohen që të votojnë ata që s’kanë emrin në lista, por kanë kartë anëtarësie.
Zgjedhjet në PD u kërkuan menjëherë pas atyre për Kuvendin, ku ishte fillimisht Fatbardh Kadilli ai që paraqiti kandidaturën e tij, më pas u propozua nga grupi për PD-në dhe Edith Harxhi, ndërsa Agron Shehaj u fut në garë në momentet e fundit.
Votimi për kreun e ri të PD-së pritet që të mbyllet në orën 19:00, ndërsa të parët që kanë qenë sot në selinë blu ka qenë sekretari Gazment Bardhi dhe nënkryetari Edmond Spaho. Kandidatët nuk pranuan që të ishin së bashku në një diskutim të hapur për anëtarësinë e tyre, dhe secili e zhvilloi fushatën veçmas.