Kreu i qeverisë Edi Rama përjashtoi njëherë e mirë mundësinë e diskutimeve me Komisionin e Rithemelimit dhe Sali Berishën për procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.

“Nuk ka akoma një proces. E kam thënë dhe e përsëris që është shumë e qartë vija e kuqe për ne. Ne nuk bëjmë asnjë negociatë dhe nuk kemi asnjë komunikim për të ardhmen me atë që në funksion të politikës është përfaqësues i botës së përtejm.

Me botën e përtejme PS nuk ka asnjë lidhje dhe as nuk negocion, as komunikon. As nuk bën asgjë. Sa herë na jepet mundësia do u themi atyre se gjallimi i tij fizik është diçka tjetër dhe gjallesa politike është tjetër. Nuk është koha për ta turpëruar Shqipërinë në këtë farë feje. Ata janë pakicë që do vazhdojnë të rrudhen nëse i shkojnë mbrapa botës së përtejme”, deklaroi Rama.

Ai u shpreh se do kishin vënë Hashim Thaçin president por për monentin shtoi se ai nuk është një qytetar i lirë.

“Kushtetuta jonë ka parashikuar që president nuk mund të zgjidhet dikush që në 10 vitet e fundit nuk jeton në Shqipëri. Ne do kishim vënë Hashim Thaçin president. Do ishte president i shkëlqyer për Shqipërinë dhe Kosovën. Por fatkeqësisht për momentin ai nuk është qytetar i lirë pasi ndaj tij po zhvillohet një proces, mos më bëni të them se çfarë procesi është”, tha Rama.