Ndryshe nga Shqipëria që është një nga 3 shtetet pjesëmarrëse e Ballkanit të Hapur, Kosova refuzon pjesëmarrjen në këtë nismë. Por a do tentojë Rama të bindë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët politikë në Prishtinë që t’i bashkohen kësaj nisme, Kryeministri shqiptar u shpreh se nuk ka të drejtë për ta bërë këtë gjë.
Aq më tepër, tha Rama, që PS nuk ka degë të saj në Kosovë dhe nuk është subjekt politik, duke iu referuar këtu Vetëvendosjes së Albin Kurtit që është parti e regjistruar në Shqipëri.
“Ne kemi me Kosovën një marrëdhënie speciale që nuk varet as nga Open Ballkan as nga Closed Ballkan, ne jemi në një marrëdhënie komplet speciale, kjo nuk ka nevojë as për diskutim, ne do bëjmë çmos që me marrëdhënien me Kosovën ta kemi sa më cilësore në aspektin e gjithë çështjeve që lidhen me ndërveprimin mes Kosovës edhe Shqipërisë, në aspektin ekonomik, tregtar e kështu me radhë. Por tjetër është një marrëdhënie biletarale mes dy ekonomive të vogla dhe tjetër është një ndërveprim multirateral në një hapësirë shumë më të madhe.
Është komplet gjë tjetër në aspektin e një pakti mbi ekonominë, mbi prodhimin e brendshëm, mbi të ardhurat, tregtinë, përfitimin e familjeve. Sa i përket bindjes, këto janë gjëra që unë i kam diskutuar, i diskutoj por unë nuk bëj asnjë përpjekje për t’u imponuar, është vendim sovran i atyre që kanë marrë votën dhe kanë mandatin për të vendosur në Kosovë, nuk është përgjegjësia dhe e drejta ime që të ndërhyj në atë proces, aq më tepër që ju e dini që unë kam degë të PS në Kosovë, nuk jam subjekt elektoral në Kosovën”, deklaroi Edi Rama nga Beogradi ku u mbajt samiti Ballkani i Hapur.