Lionel Messi e fitoi për të shtatën herë “Topin e Artë” në karrierë. Një rekord më vete, që nuk e ka arritur kush më parë. Tashmë, rivali më i madh i argjentinasit, Cristiano Ronaldo, është dy hapa më pas, sepse e ka fituar këtë çmim prestigjioz 5 herë. A mund të konsiderohet me përgjigje të argumentuar tashmë pyetja: Cili është më i miri mes Ronaldos dhe Messit?
Secili ka këndvështrimin e tij, edhe pse rrethi i më të mirit në futboll duhet zgjeruar me emra të tjerë. Mbi të gjitha me dyshen Maradona dhe Pele. E meqë jemi te këta të dy, asnjëri nuk e ka fituar dot “Topin e Artë”, por s’mund të themi se nuk janë legjenda të futbollit botëror.
Atëherë, sot ia vlen t’i japim përgjigje pyetjes se përse Maradona dhe Pele nuk e kanë fituar kurrë “Topin e Artë”?! Nga Iniesta te Maldini, nga Xavi te Del Piero, shumë kampionë të mëdhenj të historisë së futbollit nuk kanë pasur shansin të fitojnë “Topin e Artë”. Titull i prekur, por asnjëherë i arritur. Nëse kampionët e mëdhenj janë nominuar, pa fituar ndonjëherë, të tjerët nuk e kanë pasur kurrë mundësinë. Shihni Maradona dhe Pele.
Të gjykuar nga bota e futbollit si futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Maradona dhe Pele nuk e kanë “Topin e Artë” në vitrinat e tyre. Arsyeja? Ata nuk janë nominuar kurrë në edicionet e ndryshme nga vitet 50-90, apo dekadat në të cilat krijuan mitin e tyre.
“Topi i Artë” ishte në dekadat e para një çmim që iu jepej lojtarëve evropianë. Disa prej tyre, Sivori dhe Di Stefano, mundën ta fitonin çmimin vetëm falë paraardhësve nga kontinenti i vjetër, ndërsa Maradona dhe Pele nuk e patën kurrë këtë mundësi për shkak të pasaportave, përkatësisht argjentinase dhe braziliane.
Në vitin 1996, pas tërheqjes së tij nga bota e futbollit dhe zgjerimit të çmimit për çdo futbollist botëror, Diego Maradona e fitoi “Topin e Artë” për arritje të jetës. Një njohje për të kompensuar mungesën e çmimit kryesor gjatë viteve të tij të zhurmshme.
Në vitin 1999, megjithatë, Pele u votua “Futbollisti i Shekullit” nga 34 fitues të mëparshëm të “Topit të Artë”. Sir Matthews, Sívori dhe Best abstenuan, ndërsa Jašin vdiq. 17 vota, më shumë se gjysma, krahasuar me Maradonën, i cili kishte marrë titullin e karrierës tri vite më parë. Ky titull iu dorëzua “O Rei” vetëm më 2014.
Është e pamundur të dihet në retrospektivë nëse Maradona dhe Pele do të kishin fituar një, dy apo pesë edicione të “Topit të Artë”, nëse rregullorja do të ishte ndryshe. Megjithatë, disa vite ishin aq dominuese nga ana e dy amerikano-jugorëve, saqë duket e pamundur, edhe përballë fituesve të mëdhenj të atyre edicioneve, të shohësh përtej argjentinasit dhe brazilianit.
Nga ana e saj, “France Football”, megjithatë publikoi në vitin 2016 një listë të rishikuar të fituesve të mundshëm me amerikano-jugorët e kualifikuar, pa iu dhënë atyre një çmim aktual në retrospektivë. Në këtë retrospektivë, Pele do ta kishte fituar çmimin prestigjioz më 1958, 1959, 1960, 1961, 1963, 1964 dhe 1970, ndërsa Maradona më 1986 dhe 1990.
Në vitin 1958, Pele shënoi rreth 66 gola, duke fituar Kupën e Botës në moshën 18 vjeç. Braziliani do të kishte triumfuar qartë.
Në vitin 1962 Pele fiton Kupën e Botës së tij të dytë kundër Çekosllovakisë së Masopustit, fitues i “Topit të Artë”. Edhe këtu, një triumf i lehtë për brazilianin.
Më 1970, Pele shkatërroi Italinë në finalen e Kupës së Botës, por “Topi i Artë” përfundoi në duart e Muller. Disa dyshime të tjera, por forca është aq e madhe sa ai i afrohet titullit të tretë.
Më 1986, Maradona e tërhoqi Argjentinën drejt fitores në Kupën e Botës, me golin e shekullit dhe “dorën e Zotit”. “Topi i Artë” shkoi për Belanov, një çmim i lehtë për “Pibe de Oro”, nëse nuk do të kufizohej vetëm tek europianët.
Më 1989, Napoli fitoi Kupën UEFA, Maradona ishte frymëzuesi dhe golashënuesi. Van Basten fitoi Champions League dhe “Topin e Artë”.
Në vitin 1990, Maradona solli titullin te Napoli, Matthaus fitoi Kupën e Botës dhe “Topin e Artë”. Gjermani vështirë se mund t’i qëndronte “tërbimit” të Diegos në garë të hapur.
Dhe vitet e tjera? Disa mundësi më shumë për ata që kanë fituar në të vërtetë “Topin e Artë”. Megjithatë, nuk kishte gjasa që të dy, Maradona dhe Pele, të kishin fituar më pak se tre ose katër “Topa të Artë” secili. E pamundur të thuhet.