Zv. ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani ka ndarë në emisionin “Sheshi i Dollarit” detaje nga marrëveshja e nënshkruar për njohjen e pensioneve. Ajo ka theksuar se se shteti shqiptar krahas pensionit të pleqërisë ofron dhe një skemë universale.

“Këtu do të veçoja një element shumë të rëndësishëm, përveç rëndësisë që ka mbulimi gjeografik. Parimisht, ne duam që të kemi marrëveshje me të gjitha shtetet, pavarësisht numrit të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë aty, qoftë dhe sikur një shqiptar të jetojë dhe punojë në një shtet jashtë Shqipërisë, është shumë e rëndësishme për ne, që atij ti mbulohen sigurimet shoqërore, pasi është në të drejtën e tyre që të përfitojnë atë që është e mbuluar qoftë në skemën shqiptare të sigurimeve shoqërore, apo në skemat në të cilat ata kanë emigruar.

Sigurisht që ligji në asnjë rast nuk ka efekt prapaveprues, pra bëhet fjalë për të gjithë ata shtetas që janë ende në marrëdhënie pune dhe që në një moment të dytë do të mbushin moshën e daljes në pension dhe do ti lindi e drejta për të dalë në pension. Kështu që vlen të theksohet se shteti shqiptar krahas pensionit të pleqërisë ofron dhe një skemë universale. Pra, çdo shtetas shqiptar që banon në Shqipëri dhe ka derdhur kontribute shoqërore, në momentin që mbush moshën 70 vjeç, pra disa vite mbi mbushjen e moshës së pensionit, përfiton automatikisht pensionin social në vendet ku ata banojnë apo ku kanë kontribuar”.

Më tej, Manjani ka thënë, se çdo shqiptarë që ka derdhur kontributet shoqërore në Shqipëri, në rast se ka emigruar në një shtet tjetër në kohën kur del në pension mund ta tërheq dhe atje, duke aplikuar.

“Zakonisht qytetarët duhet ti drejtohen zyrave të administrimit të skemave shoqërore, në rastin e Shqipërisë është Insituti i Sigurimeve Shoqërore dhe në rastet e vendeve të tjera janë institucionet përkatëse administrative të skemave të sigurimeve shoqërore. Në marrëveshjen administrative përcaktohen të gjitha rregullat në mënyrën se si bëhet shkëmbimi i formularëve në varësi të vendeve ku shtetasit shqiptar do të bëjnë aplikimin. Sigurisht kjo bëhet për të ndihmuar shtetasin shqiptar që me vendbanim janë larg nga aty ku kanë paguar sigurimet shoqërore. Informacioni bëhet nëpërmjet këtyre dy institucionet dhe të gjithë modalitetet bëhen përmes këtyre marrëveshjeve administrative, për të lehtësuar qytetarët“./abcnews.al