Starton të djelën në mbrëmje edhe edicioni i 86-të i kampioantit të elitës së futbollit shqiptar. Të gjithë do të jenë në ndjekje të Egnatias. Rrogozhinasit fituan gjithçka sezonin e shkuar dhe padyshim e nisin edhe këtë kampionat të ri si pretendentë, pavarësisht se në skuadër ka patur shumë ndryshime, duke humbur elementë të rëndësishëm të ekipit të vjetshëm kampion si si Sherri, Ibrahimoglu, Fernando, por ka në krye sërish Edlir Tetovën, që vjen i freskët pas rinovimit me rrogozhinasit.
Mes 10 skuadrave pjesëmarrëse të këtij edicioni bie në sy rikthimi I Elbasanit, dy herë kampion i Shqipërisë. Pas një mungese disavjeçare, skuadra verdheblu përqafon elitën, madje me pretendime serioze. Bylisi është skuadra tjetër që vjen në Superiore nga Kategoria e pare. Shumë lëvizje në hyrje dhe në dalje gjatë merkatos së kësaj vere, por mungojnë afrimet e bujshme.
Mund të veçohen dy goditjet e Dinamos, Bruno Dita dhe Dejvi Bregu, të cilët rikthehen në Superiore pas disa vitesh, respektivisht nga Maqedonia e Veriut dhe Polonia. Tirana ka ndërruar gati
gjithë ekipin dhe është e gjitha për t’u zbuluar, ndërsa nga lojtarët e afruar nuk është se mund të thuhet se spikat dikush.
Nuk ka ndryshim në rregullore: FSHF beson sërish tek formula e “Final 4”, aq shumë e diskutuar dhe deri diku e kontestuar edhe nga opionis sportive. 4 skuadrat e rendituara të parat, pas 36 javëve do të duelojnë me njëra tjetrën për t’u shpallur kampion Europa përcaktohet nga “Final 4” në kombinim me Kupën, dy skuadrat e fundit në renditje bien direkt nga Superiorja, ndërsa vendi i 8-të luan “Play out” me fituesin e “Play off”- it të Kategorisë së parë.
Ndërkohë nuk mund të mungonte edhe urimi në prag të nisjes së kampioantit edhe nga kreu I Federatës shqiptare të futbollit Armando Duka.
Në mesazhin e tij drejtuar klubeve, Presidenti Duka vuri theksin te vështirësitë e mëdha financiare që hasin por i inkurajoi që të ndërtojnë projekte afatgjata që synojnë rritjen dhe zhvillimin e sportit në vendin tonë.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar përsëriti sërish thirrjen për krijimin e ligjit të sponsorizimit nga ana e qeverisë si një kërkesë jetike për mbështetjen e sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti.
Gjithashtu, Presidenti Duka uroi që këtë sezon të kemi një nivel edhe më të lartë sportiv e konkurence, ku klubet t’i bëjnë krenarë tifozët e tyre jo vetëm në kampionat, por edhe në kompeticionet europiane, ashtu siç bëri ekipi Kombëtar shqiptar në kualifikueset e Europianit dhe në finalet e Euro “Gjermani 2024”.