SPAK ka dërguar për gjykim ish-kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla dhe 11 të tjerë, të përfshirë në abuzime me tendera.
Ndaj Lefter Allës, rëndon akuza “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërkohë, vepra penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” rëndon ndaj Enkeleda Lleshit, Rubin Kolës, Arsen Gjokës, Leonard Daçit, Kujtim Zogut dhe Denis Xholit
Erion Isaku akuzohet për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Për falsifikimin e dokumenteve kanë bashkëpunuar Rasim Daci, Aqif Konesha, Ana Nishku, Dali Gazidedja dhe Kastriot Ibrahimaj.
SPAK ka provuar se Alla dhe nëpunësit e tjerë të Bashkisë Bulqizë kanë abuzuar me tenderin “Ndërtimi i rrjetit të furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”. Tenderi kapte vlerën e 322 milionë e 439 mijë lekë.
Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Leonard Daçi dhe Erjon Isaku, për arsye të lidhjeve me Rasim Dacin, i cili është përfituesi “de jure” i tenderit dhe Aqif Koneshën, i cili është përfitues “de facto” në tenderimet e kryera nga ana e Bashkisë Bulqizë, i kanë privilegjuar, duke krijuar avantazhe e duke e shpallur fitues subjektin e shtetasit “R. D” pa përmbushur të gjitha kriteret.
Lefter Alla mbante postin e kryetarit të bashkisë që prej qershorit të vitit 2019. Ai u arrestua në 15 mars, dy muaj larg zhvillimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 maj dhe më pas u shkarkua nga detyra.
Top Channel