Erion Murataj PSD

Presidenti rus, Vladimir Putin, sugjeron se Ukraina mund të vendoset nën një formë të një administrate të përkohshme ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet mbajtja e zgjedhjeve dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të rëndësishme.

“Qëllimi afatgjatë i një administrate të tillë do të ishte arritja e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës”, tha Putin gjatë një vizite që i bëri Flotës Veriore në Murmansk.

Ky është vetëm një nga opsionet. Nuk po them se nuk ka të tjera“, tha ai.

Deklaratat vijnë pas bisedimeve në Paris nga shtetet që mbështesin Ukrainën mbi mënyrat se si të forcohet pozicioni i saj brenda dhe jashtë fushëbetejës. Putin u shpreh se kjo ide mund të zbatohet “nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara me shtetet europiane” e me “partnerët dhe miqtë e Rusisë”.

“Qëllimi do të ishte që të mbaheshin zgjedhje demokratike dhe të vinte në pushtet një qeveri që gëzon besimin e njerëzve e më pas të nisnin bisedimet me të për një traktat të paqes”.

Për një kohë të gjatë, Putin është ankuar se autoritetet e Ukrainës nuk janë partnerë legjitimë për negociata sepse presidenti Zelensky ka vazhduar të qëndrojë në pushtet edhe pas përfundimit të mandatit të tij pesëvjeçar.

Zgjedhjet në Ukrainë duhej të mbaheshin në maj 2024, por sipas ligjit atje, Zelensky vazhdon të jetë president deri kur të zhvillohen zgjedhje të reja. Por, votimet nuk ka teksa qëndron në fuqi gjendja e luftës, që në Ukrainë vijon prej fillimit të pushtimit, në shkurt 2022.

Putin përsëriti qëndrimin se udhëheqja aktuale e Ukrainës nuk është legjitime ndaj heziton të nënshkruajë me të. Presidenti rus shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për marrëveshje paqësore, duke thënë se Rusia po “lëviz në mënyrë të sigurt drejt arritjes të të gjitha qëllimeve të deklaruara në fillim” të pushtimit.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga Ukraina për deklaratat e fundit të Putinit. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është herët të priten bisedime të nivelit të lartë me Rusinë.

“Ka shumë punë që duhet bërë me të dy palët, sidomos me palën ruse, me të cilën ne nuk kemi biseduar për vite të tëra”.

I pyetur se sa kohë do të duhet që të bëhet progres, Rubio tha: Unë nuk mund të jap një afat për këtë gjë sepse nuk varet nga ne.