Ish-kryeministri Sali Berisha është ndalur në Shkodër pasditen e sotme në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjen e kreut të ri të PD. Nga Shkodra, Berisha solli në fokus të diskutimit nismën “Ballkani i Hapur.” Sipas Berishës, kjo nismë nuk është asgjë tjetër veçse influencë e Rusisë dhe Serbisë në rajon.
Berisha: Evropa pati një projekt dhe ky ishte projekt i Berlinit. Përputhej me interesin tonë kombëtar. Me Vuçiçin shpikën Ballkanin e Hapur i cili s’është gjë tjetër veçse influencë e plotë e Serbisë në Rajon. Por e vërteta është dhe e Rusisë. Në shekull dy kanë qenë ambiciet kryesore ruse, Adriatiku dhe Dardanelet. Kjo është e vërteta. Por ne ku jemi? Ne jemi të rreshtuar me Beogradin. A është ky interesi ynë? Duhet të biem dakord, për një komb të qytetëruar që ruan pasionin e lirisë së tij, asgjë nuk ka më të rëndësishme se interesi kombëtar.
Ky shkon në Bruksel me Ballkanin e Hapur në çantë dhe na deklaron se nëse këta nuk do marrin vendim të hapin negociatat me ne, atëherë ne do shohim drejtimin tonë. Njëlloj si etërit e tij, juve ju kujtohet. Në vitin ’90 Ramiz Alia, jo thoshte se nuk jemi as një lindje as në perëndim. Ky thotë unë do pyes atë anketën që mbush në zyrat e PS se çfarë drejtimi të marrim. Ky (Rama) mendon se mund të luajë me fatin tonë. Por Shqipëria nuk është e tij dhe ne i themi mos tento sepse nuk do mundesh të shkelmosh interesin kombëtar.