Një depo e naftës është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së hënës në Feodosia, në Krimenë e okupuar, si pasojë e një sulmi ukrainas me dronë, raportuan kanalet ruse në Telegram.
Banorët thanë se i dëgjuan disa shpërthime të fuqishme rreth orës 4:30 të mëngjesit në Feodosia, pas të cilave shpërtheu një zjarr.
Zyra e vendosur nga Rusia në Krime konfirmoi se një depo nafte është përfshirë nga zjarri, pa përmendur sulmin me dronë.
Oleg Kryuchkov, këshilltar i kryetari të vendosur nga Rusia në Krime, shkroi në Telegram se nuk ka viktima.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në Telegram se kundërajrorët rusë i rrëzuan 21 dronë mëngjesin e së hënës , prej të cilëve 12 mbi Krime, 6 mbi rajonin Kursk dhe të tjerët mbi rajonet Belgorod, Briansk dhe Voronezh.
Krimea u aneksua nga Rusia më 2014, ndërsa Kievi do që ta rimarrë atë, teksa po lufton kundër pushtimit të plotë rus prej 17 muajsh.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /rel
Top Channel