Ish-presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, vuri një kallashnikov përpara kamerës, dhe tha se do të luftonte në rrugët e Kievit kundër ushtarëve rusë, gjatë një interviste për CNN.
Poroshenko sulmoi presidentin rus Vladimir Putin dhe këmbënguli se lideri ishte “i çmendur” dhe “i keq”. Teksa po tregonte armën që mbante grupi i tij, një kallashnikov të shkurtër dhe dy mitralozë, Poroshenko tha se ata nuk kishin asnjë tank, apo mjet të artilerisë së rëndë.
Poroshenko theksoi armatimin që ai dhe grupi i tij kishin ndërsa përgatiteshin që ushtarët rusë të hynin në kryeqytetin e vendit.
Ish-presidenti këmbënguli se Vladimir Putin duhet të trajtohet si një njeri që “ka humbur arsyen”.
“Ne do të merremi me Putinin si një njeri që ka humbur arsyen. Ai është thjesht i çmendur. Ai është thjesht i çmendur. Ai është thjesht i keq që vjen këtu për të vrarë ukrainasit”, thotë Poroshenko.
Gjatë intervistës Poroshenko reflektoi mbi numrin e vdekjeve që të dyja palët pësuan pas një dite luftimesh. Ai gjithashtu pohoi se veprimet ushtarake të Rusisë nuk do ta pengonin Ukrainën të përmbushte qëllimet e saj politike ndërkombëtare.
“Ne kemi humbur rreth 130 ushtarë ukrainas dhe rreth 800 ushtarë rusë janë vrarë vetëm dje sipas raportit të ministrit ukrainas të mbrojtjes. Unë thjesht dua të deklaroj se Putini nuk do ta ndalë Ukrainën në lëvizjen që ne kemi nisur drejt Bashkimit Evropian. Kjo është pikërisht arsyeja pse ne do ta sigurojmë Ukrainën sot, për të ndërtuar Ukrainën e së nesërmes”.