HIV / AIDS vijon të shtojë të prekurit në Shqipëri.  Në dhjetë muajt e parë të vitit janë zbuluar 80  të infektuar të rinj.  Raporti mes meshkujve dhe femrave është tre me një  përkatësisht 61 burra dhe  19 gra.

Ndryshe nga vitet e shkuara  mosha e të infektuarve është rritur në mesatarisht 39 vjeç. Drejtuesja Ekzekutive e Shoqatës së personave me HIV/ AIDS Olimbi Hoxhaj tregon arsyen.

“Kjo për shkak të sjelljeve homo dhe biseksule të parnerëve në marrëdhënie që është dhe rruga kryesore e transmetimit. Mes të infektuarve dy janë fëmijë.   Një prej tyre  e ka marrë virusin nga nëna ndërsa një 1 vjeçar  dyshohet të jetë infektuar në sistemin shëndetësor”, u shprej ajo.

“Një tjetër  është në investigim pasi prindërit janë negativ dhe bebja pozitive. Dyshimet, mbetet të investigohet tek shërbimet e kujdesit shëndetësor që i janë ofruar fëmijës para infektimit.  Fëmija është në terapi, aktualisht po trajtohet në një vend fqinj”, vijoi Hoxhaj.

Ndërgjegjësimi i popullatës për tu testuar është apeli që vjen në ditën botërore të luftës kundër SIDA-s ndërsa diagnostikimi i vonë vijon të mbetet problem.

Nga 11 persona që humbën jetën prej sëmundjes pesë u zbuluan këtë vit.

“Të diagnostikuarit nuk arrijnë të përfitojnë të mirat që sjellë terapia me antiretroviral për shkak të paraqitjes vonë në klinikën infektive”.

Këtë 1 dhjetor u hap klinika e rikonstruktuar në spitalin Infektiv në QSUT ndërsa ministrja e Shëndetësisë   tregoi se shumë shpejt të dyshuarit  mund të vetëtestohen.

“Ne shumë shpejt nëpërmjet programeve tona dhe programit Global Fund do të fillojmë edhe vetë-testimin për HIV-AIDS. Do të jetë një hap sërisht drejt një diagnostikimi më të shpejtë. Sepse e gjithë lufta në këtë aspekt është diagnostikimi në kohë, diagnostikimi i shpejtë, në mënyrë që edhe trajtimi të fillojë sa më shpejt dhe të jetë në kontroll infeksioni”.

Për të gjithë personat që jetojnë me HIV mjekimi sigurohet falas nga shteti. Mes 792 personave që  po marrin trajtim 12 janë fëmijë. /abcnews.al