
Një automjet i drejtuar nga një e re teksa lëvizte me shpejtësi natën e kaluar në një nga rrugët kryesore të qytetit të Durrësit, te “Rruga e Dëshmorëve”, pranë rrethrrotullimit te Pallati i Sportit shkaktoi aksident.
Paraprakisht, deklarohet se drejtuesja e automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin për shkak të lëvizjes mbi normat e shpejtësisë.
Pas kalimit të rreth-rrotullimit, 22-vjeçarja ka dalë nga rruga dhe mjeti i drejtuar prej saj u përplas me një pemë, një automjet tjetër, si dhe një nga dyqanet buzë rrugës. Mjeti ka përfunduar në hyrjen e një pallati, ndërkohë që shumë pranë ndodheshin dy persona, që fatmirësisht shpëtuan pa u dëmtuar.
E reja u dërgua në Spitalin e Durrësit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për aksidentin, nuk ka ende një njoftim zyrtar nga policia.
