Një aksident i frikshëm ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit në autostradën Fier–Lushnje, pranë vendpushimit të njohur të shoferëve. Ngjarja përfshiu një automjet tip Benz dhe një furgon udhëtarësh, duke shkaktuar disa të plagosur, mes tyre edhe dy persona në gjendje të rëndë.
Sipas burimeve, Benz-i që udhëtonte me shpejtësi të lartë ka goditur nga pas furgonin me pasagjerë, duke shkaktuar humbjen e kontrollit dhe përplasjen e fortë të të dy mjeteve. Si pasojë, automjeti tip Benz theu barrierat mbrojtëse metalike të rrugës, përfundoi në kanalin kullues përgjatë autostradës dhe u përfshi nga flakët.
Katër personat që ndodheshin brenda Benz-it fatmirësisht kanë arritur të dalin nga mjeti dhe të shpëtojnë gjallë, megjithëse janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, furgoni që po udhëtonte drejt aeroportit të Rinasit me 7 pasagjerë ka përfunduar disa qindra metra më tej nga vendi i përplasjes. Të gjithë udhëtarët kanë marrë lëndime, ndërsa dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë në Spitalin Rajonal të Lushnjes.
Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 03:30, në aksin rrugor “Fier-Lushnjë” automjeti me drejtues shtetasin K. E., 24 vjeç, banues në Fier, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. T., 55 vjeç, banues në Fier.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar tre pasagjerët e automjetit që drejtohej nga shtetasi D. T., shtetasi G. K., 68 vjeç, shtetasja S. J., 44 vjeçe dhe shtetasja O. K., 54 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, si pasojë e përplasjes, automjeti me drejtues shtetasin K. E., ka dalë nga rruga dhe ka marrë flakë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.