Një aksident tragjik ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një automjet ende i paidentifikuar përplasi për vdekje një këmbësor në rrugën dytësore “Plepa-Kavajë”.

Viktima është identifikuar nga policia si shtetasi L. D., 63 vjeç, i cili humbi jetën në vendngjarje si pasojë e përplasjes. Pas përplasjes, automjeti është larguar duke përfituar dhe nga errësira, pa tentuar t’i japë ndihmën e parë personit që përplasi, a të njoftojë urgjencën për t’i shkuar në ndihmë.

Policia ka nisur menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin e aksidentit, i cili u largua nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.