Një operacion kundër veprimtarisë korruptive të zyrtarëve në policinë e Elbasanit, është kryer këtë të enjte nga Prokuroria e posaçme SPAK.
SPAK ka nxjerë urdhër-arresti për inspektorin e krimeve Sefer Shuka, pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit dhe inspektorin tjetër, Çelnik Toska.
Dy zyrtarët e policisë tashmë janë arrestuar për akuzën e korrupsionit, pasi në këmbim të parave, lejonin kthimin e makinave të bllokuara tek qytetarët e ndryshëm.
Për çdo makinë të liruar nga pika e bllokimit, dy inspektorët mernin 500 deri në 1 milion lekë.
Por jo vetëm kaq, pasi hetimet e SPAK kanë zbuluar se dy inspektorët kanë kaluar çdo babëzi të mundshme, duke kërkuar dhe sende materiale, si favore në dreka dhe qengja të therur.
Mes personave të arrestuar nga SPAK është dhe Lulzim Hasa, Lirian Tragjini dhe Zenel Tragjini, ky i fundit aktualisht anëtar në këshillin bashkiak të Gramshit.
Hetimet kanë dokumentuar disa raste të lirimit të makinave nga zyrtarët e policisë së Elbasanit.
Ndërsa çështja vijon të jetë ende në verifikim e sipër pasi dyshohet se në këtë skemë koruptive, janë të implikuar dhe dy prokurorë të Elbasanit, të cilët kanë nxjerë urdhërin për kthimin e mjeteve të bllokuara.