Kompania e automjeteve elektrike ”Tesla” ra ndjeshëm në Bursën e New York, pas përplasjeve të nxehtë midis CEO-së së saj Elon Musk dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Aksionet e ”Tesla”-s ranë me 8,97% duke arritur në kuotën 302,27 dollarë.
Presidenti Trump kishte kritikuar ashpër ish-këshilltarin e tij Elon Musk, i cili menjëherë iu përgjigj në platformën e tij X pas mosmarrëveshjeve mbi planin megabuxhetor të presidentit.
Trump theklaroi se nuk e dinte nëse marrëdhënia e tij me Elon Musk do të vazhdonte, duke thënë se ishte “shumë i zhgënjyer” nga kritikat e multimiliarderit për legjislacionin e tij të propozuar.
“Shikoni, unë dhe Eloni kishim një marrëdhënie të mirë. Nuk e di nëse kjo është ende kështu. U habita”, u tha Donald Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, pasi ish-këshilltari i tij e quajti “projektligjin e tij fantastik dhe të bukur” një “të neveritshëm”.
“Budallallëqe”, u përgjigj Elon Musk në rrjetin social X, duke komentuar një video të presidentit Trump duke pretenduar se zemërimi i tij ishte për shkak të humbjes së subvencioneve për automjetet elektrike.
“E rreme”, shkroi më pas shefi i ”Tesla”-s mbi një klip në të cilin presidenti amerikan pretendonte se Elon Musk e dinte paraprakisht përmbajtjen e projektligjit, një “ligj i madh dhe i mrekullueshëm” sipas Donald Trump, një “i neveritshëm” sipas ish-këshilltarit të tij.
Miliarderi Elon Musk konfirmoi javën e kaluar se largimi i tij nga administrata e Donald Trump ishte “i planifikuar”, duke udhëhequr një agjenci përgjegjëse për uljen e shpenzimeve publike, duke shkaktuar kritika të gjera midis klasës politike amerikane.
Shefi i ”Tesla”-s dhe ”SpaceX”-it shpenzoi gati 280 milionë dollarë për të ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trump.
Pozicionet e Elon Musk kanë shkaktuar rënien e çmimit të aksioneve.