Lezhë
Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Vihet në pranga 1 shtetas që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë.
Sekuestrohet lënda narkotike kokainë e ndarë në doza, gati për shitje dhe një automjet.
Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën Operacionale në DVP Lezhë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që lëvizte me automjet nga Miloti, në drejtim të Lezhës, posedonte lëndë narkotike kokainë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i M+”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar tip ” BMW”.
Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet duke përplasur automjetet e shërbimeve të Policisë dhe rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Shërbimet e Policisë kanë arritur të ndalojnë dhe neutralizojnë mjetin me drejtues shtetasin Sh.V., dhe kanë ushtruar kontroll ndaj automjetit.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje , të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh.V., 27 vjeç, banues në Milot, Kurbin.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ” Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.