Pas më shumë se një muaji i shtruar në spitalin e Durrësit, aktori Guljelm Radoja është sjellë në Tiranë në gjendje kritike për jetën.
Është mësuar se aktori është futur në intubim në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet.
Sipas “Report Tv” pasojat që Covid-19 i kanë lënë aktorit i kanë rënduar gjendjen shëndetësore.
Pak javë më parë, djali i tij, Redi Radoja, tha në një intervistë për “Shqipëria Live” se gjendja e artistit është rënduar pasi i janë prekur mushkëritë.
“Tani më kanë njoftuar që nuk është mirë. Ai i ka mushkëritë tepër të rënduara. Duhet ti ketë pasur rëndë edhe para kovidit. Mbase kjo sëmundje po shfaq disa të fshehta të shëndetit të tij që nuk diheshin më parë. Prej dy javësh ai është në reanimacion. Tani presim që natyra të bëjë punën e vet. E kam takuar më tepër kemi shtrënguar duart nuk kam dashur ta lodh. Është e vështirë ta shohësh prindin në atë gjendje”, tha i biri i aktorit në intervistë para 2 javësh.
Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.
Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës. Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Ëedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Faxweb.al