Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ardian Hajdari ka përfunduar hetimin disiplinor Luan Dacit.
Gjykata e Lartë vendosi që të mos e pranojë rekursin e Luan Dacit ndaj dënimit të formës së prerë për falsifikim dokumentesh.
Në një njoftim për mediat, tregohet se gjyqtari Hajdari ka përfunduar procedurën hetimore në procesin disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit, gjyqtarit Luan Daci, duke vijuar menjëherë me hartimin e raportit përkatës mbi rezultatet e hetimit.
Po ashtu, theksohet se duhet të njoftohet me këtë vendim gjyqtari Luan Daci, Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit për zhvillimin e procedimit disiplinor dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Njoftim
Gjyqtari hetues i çështjes së Juridiksionit Disiplinor nr.5/2021, datë 31.05.2021, gjyqtar Ardian Hajdari, nëpërmjet vendimit nr.04, datë 24.11.2021 “Për përfundimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci”, bazuar në nenin 17, paragrafi 5, i ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:
Përfundimin e procedurës hetimore në procesin disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit, gjyqtarit Luan Daci, duke vijuar menjëherë me hartimin e raportit përkatës mbi rezultatet e hetimit.
Të njoftohet me këtë vendim gjyqtari Luan Daci, Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit për zhvillimin e procedimit disiplinor dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Tiranë, më datë 24.11.2021.
Procesi i shkarkimit për Dacin u inicua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, por u pezullua në korrik nga Hajdari në cilësinë e gjyqtarit hetues të çështjes.
Rreth tetë muaj pas dënimit të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’ dhe rrëzimit të rekursit nga Gjykata e Lartë, gjyqtari Luan Daci vazhdon të jetë ende pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, megjithëse i pezulluar nga detyra.
Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani për falsifikim të dokumenteve.
Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.