Kryekomisari i Gjirokastrës është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” këtë të premte (13 shtator), i akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), pas disa muajsh hetime rezultoi se kryekomisari ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
“Nga hetimet intensive disa mujore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, u siguruan prova se punonjësi i policisë ka bashkëpunuar me një grup kriminal që ushtronte veprimtaritë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, thuhet në njoftimin e AMP-së.
/rtsh.al/