Pas denoncimit të bërë dje në media për një mësues që akuzohej nga nxënësja e tij se e kishte ngacmuar seksualisht,është vënë menjëherë në lëvizje sot policia e Beratit.
Mësohet se mësuesi nga fshati Barç i Skraparit Servet Bejo, 62-vjeç, është ndaluar nga efektivët e policisë dhe prej disa orësh ndodhet në ambjentet e Komisariatit të Policisë së Beratit, ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen. Burime të brendshme policore konfirmojnë se në ambjentet e policisë është shoqëruar edhe e mitura 14-vjeçe së bashku me prindërit e saj. Ajo është duke u marrë në pyetje, jo vetëm në prani të prindërve por edhe të dy psikologeve të DVP Berat, për të deklaruar të plotë ngjarjen e ndodhur në datën10 Nëntor në shkollën e saj në fshatin Barç të Skraparit.
Sipas burimeve policore, mësohet se vajza ka deklaruar në polici se mësuesi i saj e kishte puthur në buzë, e kishte kapur për flokësh dhe e kishte ngjeshur në mur dhe vetëm kur vajza kishte bërtitur ai e kishte lëshuar. Ende nuk dihet dëshmija e plotë që është duke dhënë e mitura në policinë e Beratit, ndërkohë që mësohet se ndaj mësuesit janë duke dëshmuar edhe prindërit bashkë me disa familjarë të vajzës, sipas të cilëve mësuesi i ka kërcënuar pas ngjarjes që askush prej tyre të mos denonconte. Mësohet se edhe pse vajza kishte vënë në dijeni drejtoreshën e shkollës, askush nuk kishte njoftuar policinë, e cila e ka mësuar ngjarjen nëpërmjet mediave.
Mësohet se mësuesi Servet Bejo është larguar nga shkolla menjëherë pas ngjarjes dhe prej 11 Nëntorit 6 fëmijët e shkollës 9-vjeçare në fshatin Barç nuk bëjnë mësim pasi shkolla është e mbyllur.