Home SPORT Al Khelaifi e di tashmë të ardhmen e Mbappe, e marta vulosi...

Al Khelaifi e di tashmë të ardhmen e Mbappe, e marta vulosi gjithçka

35
Erion Murataj PSD

Kylian Mbappé tregoi të martën mbrëma se ato 200 milionë euro, që Florentino Pérez ofroi më 31 gusht 2021, ishin më se të justifikuara. Projekti i këtij Real Madridi ishte ta kishte sulmuesin francez në përbërje, diçka që sheikët nga Katari nuk e lejuan, edhe duke e ditur që e ardhmja e Mbappe kalonte nga “Bernabeu”.

Asgjë nuk ka ndryshuar. Askush nuk e pranon publikisht, por të gjitha palët e dinë se francezi ka vendosur që ekipi i tij i ardhshëm të jetë Real Madridi. Do të largohet falas nga PSG, por nuk do të mbërrijë me parametra zero te “Los Blancos”.

Këtë zgjedhje, 23-vjeçari do ta bëjë në këmbim të një bonusi të majmë nënshkrimi, por pas asaj që u pa në ndeshjen e së martës, çmimi është më pak i rëndësishëm. Sigurisht, asnjë euro për PSG-në, siç është dëgjuar vazhdimisht në zonën fisnike të “Bernabeu”.

Mbappé u pyet pas ndeshjes dhe fjalët e tij nuk kanë ndryshuar. Ai po pret momentin e duhur për të zbuluar të ardhmen. Dhe nuk do të ndryshojë qasje deri në fund të sezonit. Kylian pohoi se asgjë nuk është vendosur, por të gjithë e kuptojnë se nuk është kështu. Buzëqeshja e tij e “tradhton”, sidomos intervistat në një spanjishte të pastër. Fytyra e Al Khelaifit (presidentit të PSG-së), në prani edhe të Florentino Perezit, është “lakmuesi” më i qartë për situatën.

Ndeshja në “Parc des Princes” ka shërbyer shumë. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme; ka treguar se Kylian Mbappé është aktualisht lojtari më vendimtar në futbollin botëror. Ai ishte në gjendje të mposhtte Real Madridin i vetëm, pasi e çoi skuadrën e bardhë në limite. Futbolli i tij është i tillë.

Mbappe këmbënguli deri në minutën e fundit, kur lojtarët e ekipit madrilen nuk mund të bënin më. Në këtë ndeshje, përpjekjet e Lucas Vázquez, Militao, Valverde dhe Courtois, të dëshpëruar për pamundësinë e ndalimit të sulmuesit, dështuan.