Shumë shtete në Indi po ndërmarrin veprime urgjente për të trajtuar mukormikozën, një infeksion i rrallë dhe vdekjeprurës i kërpudhave që po prek gjithnjë e më shumë njerëz që janë shëruar nga sëmundja Covid-19.
Autoritetet thonë se ka mijëra raste. Gjithashtu ekspertët vlerësojnë se mukormikoza ose “kërpudhat e zeza” prek më së shumti njerëz të cilët kanë kaluar COVID-19 por kanë sistem të dobët imuntiar dhe diabetikët.
Më shumë se 100,000 njerëz nga Covid-19 vdiqën në Indi vetëm muajin e kaluar. Pas Rajasthan dje, sot dy shtete të reja, Gujarat dhe Telangana, raportuan se po përballen me një epidemi të mukormikozës.
Në New Delhi dhe qytete të tjera të mëdha kanë hapur qendra të veçanta për të akomoduar pacientë.
Më shumë se 2,000 raste janë raportuar vetëm në Maharashtra dhe rreth 1,200 në Gujarat, vendlindja e Kryeministrit Narendra Modi.
Spitali Ahmedabad, një nga më të mëdhenjtë në Gujarat, po trajton 371 pacientë tha një zëdhënës. Rreth 400 pacientë ndodhen në Spitalin Publik të Qytetit Rajkot.
Autoritetet aktualisht nuk janë në gjendje të përcaktojnë sa vdekje ishin për shkak të mukormikozës pasi vala e dytë e pandemisë Covid-19 filloi gjashtë muaj më parë.
Shefi i qeverisë lokale të Delhit të Ri Arvid Ketzival ka njoftuar se klinikat speciale do të ngrihen në tre spitale në qytet për të parandaluar përhapjen e “kërpudhave të zeza” dhe ka premtuar se pacientët do të marrin trajtimin e duhur.
Sipas mediave indiane, më shumë se 200 pacientë me mukormikozë po trajtohen në këto spitale dhe dhjetëra të tjerë po presin që të gjendet një shtrat për ta.
Qendra të veçanta për infeksionin u hapën gjithashtu në Bengaluru, por ato u mbushën brenda disa orësh, sipas burimeve mjekësore.
Në një mesazh urgjent për autoritetet shtetërore, qeveria indiane thekson se kirurgët dhe otolaringologët duhet të mobilizohen pasi kërpudhat sulmojnë kryesisht sinuset, hundën, mollët e fytyrës dhe zonën midis dhëmbëve dhe syve.
Sistemi shëndetësor indian tashmë po përballej me mangësi për shkak të Covid-19 dhe nuk ka më ilaçe për mukomikozën.
Faqet e rrjeteve sociale po përhapin mesazhe nga të afërmit që kërkojnë ndihmë në gjetjen e ilaçeve për infeksionin.
Disa mjekë vlerësojnë se mukormikoza prek kryesisht pacientët që kanë marrë steroid për Covid-19.
Shumë ilaçe të përdorura për të trajtuar koronavirusin e ri shtypin sistemin imunitar, i cili promovon zhvillimin e infeksioneve të kërpudhave.
“Përdorimi i pakontrolluar i steroideve për të trajtuar pacientët me Covid-19 duhet të shmanget” , tha Ministri i Shëndetit i Shtetit Maharashtra Rajes Toppe.
Ky infeksion vret më shumë se 50% të të infektuarve brenda pak ditësh.