
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka dalë me një njoftim për gjendjen e njësisë B2 në termocentralit “Kosova B”.
KEK ka njoftuar se kjo njësi është ndalur në orët e para të mëngjesit të sotëm për shkak të rrjedhjeve të konsiderueshme të ujit.
“Vlen të theksohet se hera e fundit kur kjo njësi ka pasur një rrjedhje të tillë ishte më 04.12.2024, dhe për të parandaluar ndonjë defekt me pasoja më të mëdha, ndalja e saj ka qenë e domosdoshme.
Ekipet tona të mirëmbajtjes dhe ekspertëve teknikë janë në gatishmëri të plotë për të filluar procesin e sanimit të gypave të dëmtuar. Bazuar në vlerësimet paraprake, pritet që ky proces të zgjasë rreth 48 orë”, thuhet në njoftim.
KEK ka theksuar se ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që përfaqëson afërsisht 90% të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2.
“Për çdo informacion të mëtejshëm, si dhe për datën e rikthimit në funksion të njësisë B2, do të ju mbajmë të informuar me kohë”, ka njoftuar KEK.
