Bulçari i Gramshit u dogj për herë të shtatë në pak javë . Flakët nuk janë më rastësi, as fatkeqësi natyrore , janë akt kriminal i përsëritur, një atentat i hapur ndaj natyrës, jetës së njerëzve dhe përpjekjeve heroike të zjarrfikësve të Gramshit,atyre që vrapojnë drejt zjarrit kur të gjithë të tjerët ikin.Për dy ditë rresht, masivet pyjore mbi fshatin Bulçar në Njësinë Administrative Kodovjat u përfshinë nga një zjarr me përmasa të jashtëzakonshme, ndër më të mëdhenjtë e muajit shtator në të gjithë qarkun e Elbasanit.
Një tjetër vatër e dyshuar si e qëllimshme, në të njëjtin vend ku flakët janë ndezur jo një, jo dy, por shtatë herë.Ky nuk është thjesht një zjarr. Është një krim i përsëritur që godet pyjet, kafshët, tokën, ajrin dhe komunitetin. U dogjën sipërfaqe të mëdha me bimësi, u dëmtuan ullinj, pemë frutore, stane, bagëti dhe prona private. Rreziku për banesat dhe jetën e banorëve ishte real, ndërsa zjarrfikësit u përballën me një situatë tejet të rrezikshme, në kushte ekstreme dhe terren të papërshtatshëm për ndërhyrje nga toka.
Shefi i Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit, Ilir Llapushi, raportoi për përpjekje të pandërprera nga zjarrfikësit, punonjës të bashkisë dhe vul
lnetarë, të cilët luftuan me flakët ditë dhe natë. Ndihma ajrore me helikopterë ishte vendimtare për të frenuar përhapjen drejt zonave të banuara dhe tokave me vlerë ekonomike, por edhe ajo nuk mjaftoi për të shmangur dëmin e madh mjedisor.Ndërkohë që shërbimet zjarrfikëse japin gjithçka për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, piromani vazhdon veprën e tij pa u ndëshkuar.
Ky person duhet ndalur tani! Heshtja e shoqërisë dhe mungesa e reagimit institucional po e bën këtë krim të përsëritur.Nëse dikush ka informacion mbi autorin e zjarrvënies, është detyrim qytetar dhe ligjor të denoncojë menjëherë. Ndryshe, jemi të gjithë bashkëfajtorë në shkatërrimin e një pasurie të përbashkët që nuk na përket vetëm neve, por edhe brezave që vijnë
Kjo ngjarje është një thirrje e fortë për reflektim dhe veprim konkret. Bashkia e Gramshit dhe strukturat vendore kanë bërë vazhdimisht thirrje për mbështetje nga qeveria qendrore, por situata tregon qartë se kapacitetet janë të pamjaftueshme.
Nevojitet strategji kombëtare, e jo thjesht reagim pas katastrofës. Duhet me patjetër rritje e kapaciteteve zjarrfikëse në zonat malore,investime në logjistikë, mjete moderne dhe pajisje mbrojtëse,trajnime për reagim të shpejtë,edukim publik për parandalimin e zjarreve,ligje më të ashpra dhe ndëshkime të menjëhershme për zjarrvënie të qëllimshme
Në gusht u dogjën mbi 620 hektarë pyje e kullota, me dëme të pallogaritshme për mjedisin dhe ekonominë lokale. Disa banesa u rrezikuan, ndërsa banorët e Kodovjatit dhe Lenies u detyruan të largohen nga shtëpitë. Tani, në shtator, flakët janë rikthyer dhe askush nuk mund të thotë se nuk e kishte parashikuar.Mjaft më me pritjen dhe heshtjen! Bulçari nuk mund të digjet për herë të tetë dhe ne të rrimë spektatorë. Është koha të ngremë zërin, të kërkojmë drejtësi dhe të tregojmë se nuk e pranojmë më këtë dëm të heshtur e të qëllimshëm ndaj një territori të tërë.
Zjarrfikësit e Gramshit nuk mund të jenë vetëm. Ata janë heronjtë tanë të përditshëm. Tani është radha jonë të jemi zëri i tyre.
© BalkanWeb