Albin Kurti thotë se Vetëvendosje po i analizon shkaqet e rezultatit të zgjedhjeve lokale, ku lëvizja e tij përfundoi duke drejtuar vetëm katër komuna nga 38 që janë gjithsej, një rezultat i pakënaqshëm sipas tij.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës e spostoi vëmendjen duke u fokusuar tek dialogu me Serbinë. Ai u shpreh i gatshëm për këtë proces, por theksoi se takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic, do të varet nga dialogu në nivel negociatorësh.

Kurti vazhdon të këmbëngulë se një marrëveshje e mundshme me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ai thotë se ajo duhet të ketë në qendër njohjen reciproke. Me gjasë, sipas Kurtit kjo do të arrihet gjatë mandatit të tij.

“Unë nuk mund të parashikoj me saktësi se kur do të ndodhë, por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, Joe Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Europian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pra, te ne ekziston vullneti dhe interesimi, varet a ekziston gatishmëria te Beogradi”, tha ai për RFE.

Kurti shtoi se Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor marrë së bashku.

“Ajo këtë nuk po e bën për Hungarinë e Rumaninë dhe ky militarizim i Serbisë është shumë shqetësues për ne”, u shpreh ai.