Ish-zyrtarja e lartë e kryeministrisë, Alda Klosi, e arrestuar mbrëmjen e së premtes, është shtruar në spital. Burime bëjnë me dije se Klosi ka shfaqur probleme me tensionin, dhe më pas është transportuar në spital. Sakaq, ditën e nesërme pritet që ish-zyrtarja e akuzuar pastrim parash dhe deklarata të rreme, të dalë para Gjykatës.
Grabitja në banesën e ish-zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosit, mori përmasa të mëdha , për shkak të shumës së lartë të parave për të cilën bëhej fjalë. Ishin, Rozeta dhe Havier Dobin, nënë e bir të akuzuar për vjedhjen e sasive të mëdha të parave në banesën e ish zyrtares, Klosi, prej më shumë se 120 mijë eurove, por pas një kontrolli të dytë në banesën e Rozeta Dobit e cila prej vitesh punonte si pastruese u zbuluan 404 mijë euro të tjera, duke shkaktuar një valë reagimesh.
Ndërkohë, vetëm mbrëmjen e të premtes (03.02.2023), u bë arrestimi i Alda Klosit, kjo pas dëshmisë prej disa orësh të dhënë nga pastruesja Rozeta Dobi. Dëshmi e cila zgjati nga ora 10:00 deri në orën 17:00 në ambientet e Policisë së Tiranës. Dobi deklaroi se edhe shuma tjetër e parave e gjetur në tubin e aspirimit në banesë, i përkisnin Alda Klosit. Rozeta Dobi që akuzohet për vjedhjen e 120 mijë eurove, pranoi të bashkëpunojë me policinë, duke i dorëzuar drejtësisë Alda Klosin. Pastruesja ishte në qendër të vëmendjes për shumat marramendëse të gjetura në apartamentin e ish-zyrtares. Dobi tregoi me detaje gjithçka që prej nisjes së punës për Klosin deri te arrestimi. Sakaq ish-zyrtarja e Kryeministrisë akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë.