Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj deklaroi se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit Kombëtar që do të organizojë Komisioni i Rithemelimit më 30 prill.

Në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit, Alibeaj deklaroi se PD-ja i ka të gjitha institucionet dhe statutin e tij.

Ndër të tjera, Alibeaj u shpreh se është në pritje të vendimit të Gjykatës për statutin e PD-së.

“Grupi parlamentar ka zgjedhur një platformë bashkimi që synon jo interesin individual. Interesin e demokratëve dhe interesi i demokratëve e kërkon bashkimin në disa vlera si vota, zgjerimi i anëtarësisë, proces votimi transparent. Kjo përcakton bashkimin e demokratëve. Janë 32, ndoshta dhe më tepër. Këto janë procedura që nuk kanë fare lidhje. Do ta heq kuriozitetin. Është e qartë për këdo sot, që ka një PD, ka një statut të saj, ka organe të PD, ka Këshill Kombëtar ato që janë sot dhe do vazhdojnë të jenë rregullat dhe institucionet e PD-së. Nuk ka dyzim. Çështja është në gjykatë, të presim gjykatën. Kur gjykata flet, të tjerët heshtin” – tha Alibeaj.

Për çështjen e Presidentit, Alibeaj shpreh gatishmërinë për t’u konsultuar me mazhorancën për të siguruar zgjedhjen e një Presidenti të denjë për qytetarët shqiptarë.

“Unë besoj që të zgjidhet një profil politik. Të gjitha këto janë të miat dhe do diskutohen në grupin parlamentar. Mos të jetë hermafrodit. Presidenti duhet të jetë i tillë, kur institucioni i së drejtës ka rënë, Presidenti duhet të mbajë ekuilibrat. Nuk ka emër konkret. Procesi i zgjedhjes së Presidentit të jetë serioz. Të mos ngutemi. Nuk është çështje numrash por procesi. Një proces gjithëpërfshirës. Ky parlament të mos e zgjedhë nga gjiri i vetë. Duhet një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Të kemi synime të moralshme. Ky është testi që kemi të gjithë, kësaj do i shërbejmë. Do jetë Presidenti i të gjithëve. Kësaj do i bëjmë shërbim neve. Konsultimi është detyrim jo vetëm politik. Në bazë të konsultimeve që do kemi, dhe do procedojmë.

Unë nuk nxitoj, fatin tim e paracaktoj vetë. Nuk nxitoj. Procesi i zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë serioz. Ngutjen e shoh nga mazhoranca. Shpejt e shpejt. Nxjerr, hedh sinjale që do ta bëjmë vetë. Po nuk erdhët ju. Testi i të gjithëve sot është të zgjedhin një President për shqiptarët. Të mos jetë hermafrodit politik. Nuk e ka të drejtën dhe legjitimitetin kjo mazhorancë përt ta zgjedhur një President të njëanshëm. Këto teatro të Ramës sikur do sinjale, ne nuk kthehemi të ikim. Do të jemi këtu, me standarte dhe vlera. Edhe atë që ju thoni. Është proces i Kuvendit dhe deputetëve. Ne do marrim pjesë për detyrimin që kemi ndaj shqiptarëve. Kemi nxjerrë mësime nga e kaluara, do marrim pjesë në një proces duke paraqitur kërkesat e grupit tonë parlamentar. Do i qëndrojmë fortë atyre” – tha Alibeaj.