Ambasadori britanik në Shqipëri Alastair King-Smith dhe i dërguari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor Sir Stuart Peach janë takuar këtë të mërkurë me presidentin e ri të vendit tonë Bajram Begaj.
“Ambasadori Alastair King-Smith dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, u takuan me Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj, dhe e përgëzuan për zgjedhjen si Kryetar i ardhshëm i Shtetit. Ata vlerësuan qëllimin e tij për t’i shërbyer interesave afatgjata të popullit shqiptar”, ka njoftuar ambasada.
Ambasadori britanik ka deklaruar se temë e diskutimit ka qenë siguria rajonale. Ai shprehet se do të angazhohen bashkë me presidentin e zgjedhur Begaj që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria të adresojnë sfidat e përbashkëta.
“Diskutuam rëndësinë e sigurisë rajonale, duke adresuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve dhe garantimin e standardeve më të larta në detyrat publike dhe emërimet. I dërguari i Posacëm, Sir Stuart Peach, ndodhet në vizitë dy ditore në Shqipëri me synimin pët të përforcuar angazhimin e Britanisë për të bashkëpunuar me udhëheqësit shqiptarë dhe liderët e tjerë, për të promovuar në të gjithë rajonin institucione të forta demokratike dhe shoqëri të hapura.
Si aleatë të ngushtë, do të angazhohemi me Presidentin e zgjedhur Begaj që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria të adresojnë sfidat e përbashkëta dhe të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi për të dyja vendet tona” – tha Ambasadori Alastair King-Smith.