Ujdia midis vendeve të Bashkimit Evropian për të kufizuar importet e naftës ruse është arritur si shumë vendime të tjera në bllok: pas diskutimeve të gjata dhe herë pas here të tensionuara.
Megjithatë, është goditja më e madhe deri tash mbi njërën prej industrive më fitimprurëse për Kremlinin.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, e ka cilësuar atë si “arritje të jashtëzakonshme”.
“Është e rëndësishme më shumë se kurrë që të tregojmë se ne mund të jemi të fortë, mund të jemi të vendosur [dhe] mund të jemi të ashpër”, ka thënë Michel.
Me vendimin e marrë më 31 maj, Bashkimi Evropian është zotuar se do të ndalojë 90 për qind të importeve të naftës nga Rusia – si masë ndëshkimi për pushtimin e Ukrainës. Përjashtim të përkohshëm nga ndalesa do të bëjnë Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, të cilat varen më shumë nga nafta ruse. Ato do të vazhdojnë ta sigurojnë produktin përmes tubacionit Druzhba, por nuk është bërë e qartë se për sa kohë.
Rusia siguron rreth një të katërtën e naftës së importuar nga vendet e BE-së. Kjo do të thotë rreth 2.2 milionë fuçi të naftës bruto në ditë dhe 1.2 milion fuçi të tjera me produkte nafte. Sipas Institutit amerikan “Carnegie Endowment”, këto dërgesa i sigurojnë Rusisë mbi një miliard dollarë në ditë.
Bashkimi Evropian ka thënë se sanksionet mbi naftën ruse “do ta gjymtojnë makinën luftarake” të presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë. Por, Kremlini ka paralajmëruar se do t’i ridrejtojë eksportet e tij të naftës drejt vendeve të tjera, për të minimizuar humbjet nga embargoja e BE-së.
“Këto sanksione natyrisht se do të kenë ndikim negativ, ndoshta për të gjithë kontinentin – për evropianët, për ne dhe për gjithë tregun global të energjisë. Ne po i ridrejtojmë vëllimet e naftës në drejtime alternative”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Një drejtim për Rusinë mund të jetë India. Ky vend është prej atyre që kanë përfituar nga blerja e naftës ruse me çmim më të lirë, qëkur SHBA-ja ka ndaluar importet e saj nga Rusia, në muajin mars. Ndalimin e naftës ruse deri në fund të këtij viti e ka paralajmëruar edhe Mbretëria e Bashkuar.
Analistët e tregut shprehen të bindur se kjo situatë do t’i rrisë edhe më çmimet. Çmimet e naftës janë rritur këtë vit për më shumë se 55% dhe janë në nivelet më të larta që nga viti 2008. Pas njoftimit të BE-së për embargon, çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka arritur në 124.10 dollarë për fuçi – që është niveli më i lartë që nga muaji mars.
Ben McWilliams, analist i kërkimeve në Institutin e ekonomisë Bruegel, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se trajektorja e çmimeve do të vazhdojë të rritet, derisa vendet perëndimore ta bëjnë të qartë se si do të sigurohen furnizimet me naftë. Ai, po ashtu, tërheq vërejtjen se mosaktivizimi i sanksioneve deri në fund të vitit, do ta forcojë Rusinë në një afat të shkurtër.
“Ka rrezik që ky të jetë një bonus për Rusinë, sepse embargoja mbi naftën po dërgon sinjale në tregjet globale dhe po i rrit çmimet. Dhe, për aq kohë sa Rusia do të vazhdojë të shesë naftë në Evropë, ajo do të përfitojë nga çmimet më të larta”.
“Por, në afat të gjatë, kjo do ta dëmtojë Rusinë. Rusia eksporton sasi të mëdha nafte në Evropë, sidomos prej porteve perëndimore në Baltik dhe në Detin e Zi. Për ta ridrejtuar këtë naftë te konsumatorë të tjerë – që do të mund të ishin konsumatorë aziatikë – kushton shumë shtrenjtë dhe është e vështirë në aspektin logjistik”, thotë McWilliams.
BE-ja është kujdesur që ta bëjë edhe më të vështirë ridrejtimin e naftës ruse në vendet e treta. Mbi 90 për qind e anijeve të botës janë të siguruara në një shoqatë të sigurimeve në Londër, që njihet si Grupi Ndërkombëtar. Pas marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, BE-ja ka vendosur të përfshijë në paketën e sanksioneve kundër Rusisë edhe një masë që ndalon sigurimin e anijeve që transportojnë naftë ruse.
Ben McWilliams, nga Instituti Bruegel, thotë se Rusia do ta ndjejë fuqinë e vërtetë të sanksioneve në momentin që ato hyjnë në fuqi, por me kalimin e kohës, shton ai, ajo do të ndërtojë infrastruktura të reja dhe do të krijojë aleanca të reja. McWilliams merr shembuj dy vende që janë përballur me sanksione:
“Irani dhe Venezuela vazhdojnë të përballen me vështirësi, për shkak të sanksioneve mbi naftën. Por, ngadalë dhe gradualisht, ata po mësojnë dhe po gjejnë mënyra se si t’i kapërcejnë sanksionet. Pra, periudha më e vështirë është kur nis zbatimi i sanksioneve”.
Por, pa pasoja duket se nuk do të kalojë as vetë BE-ja – së paku për një periudhë – marrë parasysh sasinë e madhe të naftës që siguron nga shteti rus. Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave, Eurostat, Rusia i ka siguruar BE-së 24.8 për qind të naftës në vitin 2021, Norvegjia 9.4 për qind, SHBA-ja 8.8 për qind dhe vendet e tjera më pak.
Patrick De Haan, nga kompania teknologjike GasBuddy, që përcjell lëvizjen e karburanteve në kohë reale, thotë për Exposenë se vendet e BE-së, nga janari i vitit 2023, do të duhet t’i zëvendësojë gati të gjitha dërgesat e naftës ruse – një detyrë jo e pamundur, por e vështirë.
“Shtetet e Bashkuara kanë premtuar se do të dërgojnë naftë të papërpunuar në Bashkimin Evropian. Por, do të jetë një detyrë shumë e vështirë dhe shumë e dhimbshme, thjesht sepse Rusia është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë dhe është vështirë të gjendet naftë shtesë nga vende të tjera”.
“Derisa i afrohemi dimrit, mund të ketë edhe krizë energjetike, jo vetëm për shkak të naftës, por edhe të gazit të lëngshëm natyror. Natyrisht, BE-ja nuk e ka ndërprerë rrjedhën e gazit nga Rusia, por Rusia, në shenjë hakmarrjeje, mund ta ndërpresë. Kjo do të mund të shkaktonte një dimër shumë të rëndë në muajt në vijim”, thotë De Haan.
Vendet në Evropë, por edhe më gjerë, ka kohë që përballen me inflacion në rritje. Fillimisht ka qenë pandemia COVID-19 që e ka shkaktuar, ndërsa pastaj i ka dhënë hov lufta e Rusisë në Ukrainë, që ka çrregulluar po ashtu tregjet.
DeHaan, nga kompania GasBuddy, thotë se konsumatorët, sidomos në Evropë, duhet të përgatiten për fatura më të shtrenjta.
Faturat për ngrohjen e shtëpive mund të dyfishohen ose trefishohen nga normalja. Çmimi i karburanteve mund të rritet për 100 deri në 200%. Ky pritet të jetë një dimër mjaft befasues për sa u përket çmimeve të larta të energjisë që do t’i përjetojmë”, thotë De Haan.
Përpara luftës, Bashkimi Evropian ka marrë 40 për qind të gazit nga Rusia. Në mars, BE-ja është zotuar se do t’i reduktojë këto importe për dy të tretat brenda vitit. Por, Rusia ka reaguar e para, duke ndërprerë furnizimet për disa shtete, sipas saj, jomiqësore. Bullgaria dhe Polonia nuk furnizohen me gazin rus qysh në prill. Finlanda nga maji.
Ben McWilliams, nga Instituti Bruegel, thotë se hapat e ardhshëm të Rusisë janë të paparashikueshëm, por shton se BE-ja, aktualisht, nuk e ka as luksin, as unitetin për të ndaluar e para importimin e gazit rus.
“Për momentin, nuk mendoj se ka unitet politik për të sanksionuar gazin natyror nga Rusia, sepse është shumë më e vështirë për t’u zëvendësuar. Ne e importojmë pjesën më të madhe të naftës me cisterna, andaj nafta ruse mund të zëvendësohet. Gazi rus, pothuajse i tëri, vjen përmes tubacioneve dhe është shumë e vështirë të zëvendësohet”, thotë McWilliams.
Aleatët më të zëshëm të Ukrainës në BE, Polonia dhe shtetet baltike, thonë se BE-ja duhet të caktojë një datë kur do t’u japë fund importeve të gazit rus. Por, kjo nuk është e sigurt se do të arrihet në një të ardhme të afërt. BE-së i janë dashur gjashtë runde sanksionesh, për të ndaluar naftën ruse. Uniteti për gazin është edhe më i lëkundshëm. Me gazin rus ngrohen ndërtesa në Evropë dhe prodhohet energji elektrike.
Komisionarja e BE-së për energji, Kadri Simson, ka thënë se blloku po bën plane emergjente, në rast se Rusia ndërpret gazin. Ajo nuk ka dhënë shumë detaje për to, por ka thënë se vendet po përpiqen të ruajnë sa më shumë gaz që është e mundur. /REL