Erion Murataj PSD

Një lëshues raketash ngre një re pluhuri të kafenjtë në ajër ndërsa përshkon me shpejtësi një fushë drejt vijës së qitjes. Disa çaste më vonë, një ushtar numëron mbrapsht nga pesë deri te “Zjarri!”, përpara se një raketë të shpërthejë drejt qiellit.

Shpërthimet dhe gjëmimet nga stërvitjet ushtarake janë aq të shpeshta saqë banorët e qytetit të vogël Munster aty pranë mezi i vënë re më.

Por jeta këtu pritet të bëhet edhe më e zhurmshme.

Ushtria gjermane, Bundeswehr, së fundmi mori dritën jeshile për një rritje masive të investimeve pasi parlamenti votoi për përjashtimin e shpenzimeve për mbrojtjen nga rregullat strikte të borxhit.

Gjenerali më i lartë i vendit i ka thënë BBC-së se kjo mbështetje financiare është urgjente, pasi ai beson se agresioni rus nuk do të ndalet me Ukrainën.

“Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Ne jemi të kërcënuar nga Putini. Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar këtë,” thotë Gjenerali Carsten Breuer. Ai paralajmëron se NATO duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër viteve.

“Nuk ka të bëjë me sa kohë më duhet mua, por më shumë me sa kohë na jep Putini për t’u përgatitur,” thotë shefi i mbrojtjes në mënyrë të prerë. “Dhe sa më shpejt të jemi gati, aq më mirë.”

Kthesa

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar thellësisht mendësinë në Gjermani.

Për dekada, njerëzit këtu janë rritur me një refuzim të fuqisë ushtarake, të vetëdijshëm për rolin e kaluar të Gjermanisë si agresor në Evropë.

“Ne kemi nisur dy luftëra botërore. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ideja që gjermanët duhet të qëndrojnë larg konflikteve është ende e rrënjosur në ADN-në e shumë njerëzve,” shpjegon Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall në Berlin.

Disa ende mbeten skeptikë ndaj çdo gjëje që mund të shihet si militarizëm edhe sot, dhe forcat e armatosura kanë qenë kronikisht të nënpërgatitura.

“Ka zëra që paralajmërojnë: ‘A jemi vërtet në rrugën e duhur? A është vlerësimi ynë për kërcënimin i saktë?’”

Sa i përket Rusisë, Gjermania ka ndjekur një qasje specifike.

Ndërsa vende si Polonia dhe shtetet Baltike paralajmëronin kundër afrimit me Moskën – dhe rritën shpenzimet e tyre për mbrojtjen – Berlini, nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel, besonte në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.

Gjermania imagjinonte se po sillte demokratizim. Por Rusia mori paratë dhe pushtoi Ukrainën gjithsesi.

Kështu që, në shkurt të vitit 2022, një Olaf Scholz i tronditur shpalli një ndryshim të madh në prioritetet kombëtare, një “Zeitenwende”.

Në atë moment, ai premtoi një buxhet gjigant prej 100 miliardë eurosh (108 miliardë dollarë; 83 miliardë paund) për të forcuar ushtrinë e vendit dhe për të frenuar “luftënxitësit si Putini”.

Por Gjenerali Breuer thotë se kjo nuk mjaftonte.

“Ne mbushëm pak nga gropat,” kujton ai. “Por situata është vërtet e keqe.”

Në të kundërt, ai tregon për shpenzimet e mëdha të Rusisë në armë dhe pajisje, si për rezervat ashtu edhe për vijën e frontit në Ukrainë.

Ai gjithashtu përmend luftën hibride të Rusisë: nga sulmet kibernetike deri te sabotazhet, si dhe dronët e paidentifikuar mbi bazat ushtarake gjermane.

Shtoni kësaj retorikën agresive të Vladimir Putinit dhe Gjenerali Breuer sheh “një përzierje vërtet të rrezikshme.”

“Ndryshe nga bota perëndimore, Rusia nuk mendon në ndarje të qarta. Nuk ka një vijë mes kohës së paqes dhe luftës; është një vazhdimësi: fillon me metoda hibride, pastaj e përshkallëzon, pastaj rikthehet. Kjo është ajo që më bën të mendoj se po përballemi me një kërcënim real.”

Ai argumenton se Gjermania duhet të veprojë shpejt.

‘Shumë pak nga gjithçka’

Vlerësimi i ashpër i shefit të mbrojtjes për gjendjen aktuale të forcave të tij përputhet me një raport të fundit për parlamentin. Bundeswehr-i, përfundonte raporti, kishte “shumë pak nga gjithçka”.

Autorja e raportit, komisionerja e forcave të armatosura, Eva Högl, zbuloi mungesa të rënda që varionin nga municionet te ushtarët, deri te kazermat e rrënuara. Ajo vlerësoi buxhetin për punimet e rinovimit në rreth 67 miliardë euro (72 miliardë dollarë; 56 miliardë paund).

Heqja e kufirit të borxhit, duke i lejuar ushtrisë të marrë hua – teorikisht, pa kufi – do t’i japë asaj akses në një “vijë të qëndrueshme” financimi për të filluar adresimin e këtyre problemeve, thotë Gjenerali Breuer.

Lëvizja historike u ndërmor nga pasardhësi i pritshëm i Scholz-it, Friedrich Merz, me një ngut që ngriti disa dyshime. Ai e dorëzoi propozimin në parlament pak para se ai të shpërndahej pas zgjedhjeve të shkurtit.

Parlamenti i ri, me një të majtë antimilitariste dhe një të djathtë pro-ruse, mund të kishte qenë më pak i prirur ta mbështeste atë.

Por “kthesa” që Gjermania nisi në vitin 2022 mori vrull të ri këtë vit.

Një sondazh i fundit i YouGov tregoi se 79% e gjermanëve ende e shohin Vladimir Putinin si një kërcënim “shumë” ose “mjaft” të madh për paqen dhe sigurinë në Evropë.

Tani, 74% thanë të njëjtën gjë për Donald Trump.

Anketa erdhi pas një fjalimi në Mynih, ku nënpresidenti i tij, JD Vance, kritikoi ashpër Evropën dhe vlerat e saj.

“Kjo ishte një sinjal i qartë se diçka ka ndryshuar në mënyrë themelore në Shtetet e Bashkuara,” thotë Markus Ziener.

“Nuk e dimë se në ç’drejtim po shkon SHBA-ja, por e dimë se besimi se mund të mbështetemi 100% te mbrojtja amerikane për sigurinë tonë – ai besim tani ka humbur.”

Largimi nga historia

Në Berlin, kujdesi tradicional i gjermanëve ndaj çështjeve ushtarake duket se po venitet me shpejtësi.

Tetëmbëdhjetëvjeçarja Charlotte Kreft thotë se pikëpamjet e saj pacifiste kanë ndryshuar.

“Për një kohë shumë të gjatë, ne menduam se mënyra e vetme për të shlyer mizoritë që kemi kryer në Luftën e Dytë Botërore ishte të siguroheshim që ato të mos ndodhnin më kurrë […] dhe menduam se duhej të çmilitarizoheshim,” shpjegon Charlotte.

“Por tani jemi në një situatë ku duhet të luftojmë për vlerat, demokracinë dhe lirinë tonë. Duhet të përshtatemi.”

“Ka shumë gjermanë që ende ndihen të çuditshëm për investime të mëdha në ushtrinë tonë,” bie dakord Ludwig Stein. “Por mendoj se, duke pasur parasysh ngjarjet e viteve të fundit, nuk ka një opsion tjetër real.”

Sophie, një nënë e re, mendon se investimi në mbrojtje tani është “i nevojshëm në botën ku jetojmë”.

Por Gjermania ka nevojë për trupa po aq sa për tanke, dhe ajo nuk është aspak entuziaste për idenë që i biri të rekrutohet.

‘A jeni gati për luftë?’

Bundeswehr-i ka vetëm një qendër të përhershme rekrutimi, një njësi të vogël e vendosur mes një farmacie dhe një dyqani këpucësh pranë stacionit Friedrichstrasse në Berlin.

Me manekinë të veshur me uniforma kamuflazhi në vitrinë dhe slogane si “cool dhe spicy”, ajo synon të tërheqë burra dhe gra për të shërbyer, por në të vërtetë vetëm disa persona hyjnë aty çdo ditë.

Gjermania tashmë ka humbur objektivin e saj për të shtuar 20,000 ushtarë – nga 183,000 në 203,000 – dhe për të ulur moshën mesatare nga 34 vjeç.

Por ambiciet e gjeneralit Breuer janë shumë më të mëdha.

Ai na tha se Gjermanisë i duhen edhe 100,000 trupa shtesë për të mbrojtur veten dhe krahun lindor të NATO-s në mënyrë adekuate – një total prej 460,000 trupash, duke përfshirë rezervistët. Prandaj ai insiston se rikthimi i shërbimit ushtarak është “absolutisht” i nevojshëm.

“Nuk do ta arrijmë këtë numër prej 100,000 trupash shtesë pa ndonjë model të rekrutimit të detyrueshëm,” tha gjenerali.

“Nuk kemi pse të përcaktojmë tani se cili model do t’i sjellë ata. Për mua, e rëndësishme është vetëm që t’i kemi ushtarët.”

Kjo debat sapo ka filluar.

Gjenerali Breuer po e pozicionon qartë veten në krye të përpjekjes për të çuar përpara dhe më shpejt “kthesën” e Gjermanisë.

Me një stil të thjeshtë dhe tërheqës, ai pëlqen të vizitojë bashkitë e qyteteve dhe t’u bëjë audiencave një pyetje sfiduese: “A jeni gati për luftë?”

Një ditë, një grua e akuzoi atë se po e trembte. “I thashë: ‘Nuk jam unë ai që po ju tremb, është ai tjetri!’” kujton ai përgjigjen e tij.

Ai i referohej Vladimir Putinit.

Alarmi i dyfishtë – kërcënimi nga Rusia dhe një Amerikë izolacioniste e tërhequr – po bie fort për Gjermaninë, argumenton gjenerali, dhe nuk mund të injorohet.

“Tani është e qartë për secilin prej nesh se duhet të ndryshojmë.”