
Një sasi e konsiderueshme fileto pule e importuar nga Brazili, është bllokuar në vendin tonë pasi u konfirmua prania e salmonelës në mish.
Skandali thellohet edhe më tej, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e një prej baktereve më të rrezikshme për shëndetin e njeriut, salmonella Typhimurium. Ky bakter, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), është një patogjen enterik që shkakton infeksione të rënda tek njerëzit dhe kafshët, duke prekur direkt sistemin tretës dhe duke sjellë pasoja të rënda shëndetësore.
Nga të dhënat e fundit, rezulton se mbi 18 tonë fileto pule e ngrirë e importuar nga Brazili ka hyrë në tregun shqiptar për konsumatorët, duke përbërë një kërcënim serioz për shëndetin publik. Mishi u shpërnda në marketet dhe dyqanet në të gjithë vendin, pa asnjë paralajmërim për rrezikun e madh që përmbante.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Salmonella Typhimurium është një ndër shkaktarët kryesorë të etheve tifoide, një sëmundje e cila prek miliona njerëz në vit dhe ka një shkallë të lartë vdekshmërie. Sipas statistikave të OBSH-së, çdo vit ka rreth 9 milionë raste të etheve tifoide, me 110,000 vdekje si pasojë e infeksionit.
Bakteri Salmonella Typhimurium është jashtëzakonisht i rrezikshëm, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar. Konsumimi i mishit të kontaminuar mund të shkaktojë temperaturë të lartë të zgjatur, lodhje ekstreme dhe dhimbje koke, nauze, dhimbje barku dhe çrregullime gastrointestinale si kapsllëk ose diarre, skuqje të lëkurës, krruajtje dhe ethe.
Në rastet më të rënda, infeksioni mund të përparojë dhe të shkaktojë ndërlikime të rrezikshme si septicemia, e cila mund të çojë në vdekje.
