Qeveria miratoi dje 10 zonat në të gjithë territorin e vendit, ku do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore. Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, deklaroi se zonat janë përzgjedhur në bazë të studimeve dhe se ato nuk përfshijnë zonat me bujqësi të zhvilluar, siç është zona e Myzeqesë dhe ajo e Korçës.

“Aktualisht janë 10 zona kadastrale, të cilat janë përcaktuar në bazë të një studimi dhe këto 10 zona janë të mirëpërcaktuara. Janë në të gjithë Shqipërinë, ku cilësia e tokës është e përshtatshme, janë të përjashtuara zonat me intensitet të lartë bujqësor, siç janë Myzeqeja dhe Korça”, tha Denaj.

Më parë, qeveria ka miratuar edhe standardet për zonat dhe parcelat e tokës, në të cilat do të lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale. Largësia e këtyre parceleva duhet të jetë të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë, si dhe nga zonat ushtarake.

Por sipas studimeve bletët mund të udhëtojnë deri në 8,5 km për gjetjen e ushqimit. Bletët që udhëtojnë përtej rrezes 3 km, gjithnjë nëse do respektohet kjo distancë, rrezikojnë të humbin rrugën nga efektet çoroditëse të hashashit dhe të mos gjejnë më kusheret.

Gjithashtu, shkencëtarët kanë zbuluar se mbretëresha që të realizojë fekondimin e plotë mund të fluturojë deri në 12 km larg zgjoit, ndërsa mashkulli deri në 16 km larg për të arritur në zonën e takimit dhe grumbullimit mashkullor. Dhe nëse mbretëresha humbet rrugën, i gjithë zgjoi merr fund, shkretohet.

Në vitin 2016, në kulmin e kanabizimit të Shqipërisë, numri i koshereve të bletëve u përgjysmua. Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, Lejla Shehu tja se era e hashashit mund të ketë ndikuar në trullosjen e tyre, duke bërë që bletët të humbin rrugën për në koshere. Bletarët të cilët humbën bletën në kullotë, nuk gjejnë arsye tjetër, veç efekteve çoroditëse të hashashit.