Arben dhe Anisa Hoxhaj janë çifti më i përfolur i momentit në Shqipëri dhe më gjereë pas tentativës së dështuar për të grabitur një argjendari në Shkodër pak ditë më parë. Të dy ata u arrestuan nga policia pak minuta pas ngjarjes.
Në emër të saj duket se ka një mori denoncimesh për vjedhje dhe mashtrim, por duket se Anisa e ka shtrirë aktivitetin e saj edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Një ditë më parë, Diart Hyseni, shqiptar i Kosovës me banim në Zvicër kontaktoi redaksinë e abcnews.al duke denoncuar një tjetër rast vjedhjeje të Anisa Hoxhajt. Diarti tha për abcneës.al se pak kohë më parë Anisa kishte qenë në Zvicër dhe kishte punuar si dado në shtëpinë e tij, por pas katër ditësh i la fëmijët vetëm, mori florinjtë dhe mijëra franga duke u arratisur.
I riu tha se Anisa Hoxha i kishte vjedhur të gjitha sendet me vlerë që kishte gjetur në shtëpi dhe u zhduk duke marrë edhe 3 860 franga zvicerjane.
Në rrëfimin e tij Hyseni shprehet se Anisa Hoxhaj bllokoi çdo mundësi kontakti me të pas vjedhjes duke ia bërë të pamundur që të fliste për rimarrjen e sendeve me vlerë dhe të parave.
Por ai tentoi sërish, kësaj radhe përmes së motrës.
“Motra ime i shkruajti asaj kinse kërkonte një dado. Ajo i tha se më parë duhej t’i dërgonte 500 euro dhe ajo do të nisej menjëherë për nmë Zvicër. Pasi motra ime nuk ia nisi, ajo e bllokoi direkt”, thotë i riu.
I pyetur se si ranë në kontakt me Anisa Hoxhajn, ai u shpreh se kishte bërë kërkesë në një agjenci për dado dhe agjencia i sugjeroi të renë nga Vlora.
Por, Hoxhaj duket se e ka bërë të njëjtën gjë edhe me dy familje të tjera shqiptarësh në Zvicër.
“Unë di që ajo ka mashtruar edhe katër familje të tjera në Zvicër duke i kërkuar një shumë parash paradhënie në mënyrë që më pas të nisej për në shtepinë e tyre”, shprehet Hyseni.
Një ditë më parë, në rrjetet sociale qarkulloi denoncimi i një parukieri turk në Tiranë, i cili tha se Anisa kishte marrë një shërbim me vlerë 900 euro, të cilat nuk ia kishte dhënë.
Dy të rinjtë janë tashmë në qeli pasi gjykata e Shkodrës dha masën e sigurisë “arrest me burg”. /abcnews.al