Prej më shumëse një dekade banorët e fshatit Mezhgoran në bashkinë e Tepelenës janë në pamundësi për të shkuar dhe punuar tokat e tyre, pasi një prej bashkëfshatarëve ka vendosur kufirin e tokës së tij në vendin ku ka qenë rruga, shkruan A2 CNN.
Dhe që atëherë, neglizhenca e institucioneve shtetërore ndaj kësaj problematike i ka lënë thuajse djerrë tokat e tyre. Pas shumë ankesave drejtuar pushtetit lokal, banorët dhe fermerët e Mezhgoranit e kanë denoncuar këtë problematikë edhe në media.
Por me sa duket kësaj radhe pushteti lokal duket se e ka marrë seriozisht këtë problematikë disa vjeçare. Dhe këtë fakt e konfirmon Leonidha Shumeli, administratori i njësisë administrative Qendër, që përfshin fshatin Mezhgoran. Ndonëse për vite me radhë pushteti lokal ka bërë njërin sy qorr dhe njërin vesh shurdh, banorët shprehen se më mirë vonë se kurrë problematika e tyre të marrë një zgjidhje për të gjithë.