Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dhe Alma Kaçi të përfshirë në skandalin seksual në ambientet e bashkisë së qytetit kanë ankimuar vendimin e GJKKO , që i shpall ata fajtor për “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Në shortin e hedhur sot, trupi gjykues do të përbëhet nga gjyqtari Florjan Kalaja, Miliana Muça dhe Igerta Hysi.

Seanca gjyqësore e cila do të jetë publike është caktuar të mbahet më datë 13.06.2024 në orën 09:00.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 13.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 33 akti, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankuesve/të pandehur S.Gj., A.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtor të pandehurit për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Sipas shortit të datës 14.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtari Florjan Kalaja (kryesues), Miliana Muça (Anëtare), dhe Igerta Hysi (Anëtare).

Seanca gjyqësore publike është caktuar për më datë 13.06.2024, ora 09:00.