Policia Tiranë njofton se ka sekuestruar pasuri që arrijnë vlerën 2 milionë euro, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e një 39 vjeçari.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Summer 2022″, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasit R. P., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është arrestuar në vitin 2018, nga autoritetet policore angleze, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2007, është dënuar me 7 vjet burgim nga autoritetet e drejtësisë në vendin tonë, për të njëjtën vepër penale”, ben me dije policia e Tiranës.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 2 milionë euro, konkretisht:
•Një pasuri e paluajtshme (arë), në Valare, Gjirokastër; 5 apartamente në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 3 garazhe në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”; 1 apartament në Yzberisht dhe 3 automjete.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.