Për shkak të kësaj pezullimi, nuk mund të respektohet afati 48-orësh për konfirmimin e ndalimit, ndaj të ndaluarit duhet të lirohen, siç ka vendosur më parë edhe Gjykata Kushtetuese në raste të ngjashme.

Dështon për herë të tretë tentativa e Qeverisë Meloni për të akomoduar emigrantët në kampin e Gjadrit në Lezhë.

Gjykata e Apelit e Romës ka vendosur të mos konfirmojë ndalimin e 43 migrantëve të mbajtur në qendrat e ndërtuara nga Italia në Shqipëri.Gjykata ka urdhëruar lirimin e tyre dhe kthimin në Itali, ndërsa ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

Në aktvendimin e gjykatës theksohet se procesi gjyqësor duhet të pezullohet derisa të vendosë Gjykata e Drejtësisë së BE.

Për shkak të kësaj pezullimi, nuk mund të respektohet afati 48-orësh për konfirmimin e ndalimit, ndaj të ndaluarit duhet të lirohen, siç ka vendosur më parë edhe Gjykata Kushtetuese në raste të ngjashme.

Në qendrën e Gjaderit ndodheshin 43 migrantë, pasi 6 të tjerë ishin transferuar më parë në Itali për shkak se ishin të mitur ose në gjendje të cenueshme. Seancat për konfirmimin e ndalimit nisën mëngjesin e sotëm me pjesëmarrjen e azilkërkuesve përmes videokonferencës dhe me praninë e gjyqtarëve nga Gjykata e Apelit e Romës.

Një ditë më parë, Komisioni Territorial për Shqyrtimin e Kërkesave për Mbrojtje Ndërkombëtare kishte refuzuar të gjitha kërkesat e azilit, duke i konsideruar ato “qartësisht të pabazuara”.

Migrantët tani kanë vetëm 7 ditë për të apeluar këtë vendim, afat i cili, sipas Shoqatës për Studime Ligjore mbi Imigracionin (ASGI), e bën praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës për mbrojtje ligjore, në kundërshtim me Kushtetutën Italiane, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe direktivat e BE-së.

Ky është rasti i 3-të që Gjykatat në Itali rrëzojnë nismën e Qeverisë Meloni që refugjatët që kapen në Lampedusa të transferohen në Shqipëri, ku në bazë të marrëveshjes mes qeverive të dy vendeve u ngritën edhe qendrat e pritjes, një në Shëngjin dhe tjetra në Gjadër.

Vendimi i parë u mor në 18 tetor, kur 12 azilkërkues nga Bangladeshi dhe Egjipti u transferuan në qendrën e Gjaderit. Gjykata argumentoi se shtetet e tyre të origjinës nuk mund të konsideroheshin “vende të sigurta”, ndaj procedura e përshpejtuar kufitare nuk mund të zbatohej, duke urdhëruar kthimin e tyre në Itali.

Vendimi i dytë u dha në 11 nëntor, kur 7 migrantë të tjerë, po ashtu nga Egjipti dhe Bangladeshi, u përballën me të njëjtin vendim gjyqësor, pavarësisht se qeveria italiane në ndërkohë kishte ndryshuar listën e “vendeve të sigurta”. Gjykata pezulloi procesin dhe ia kaloi çështjen Gjykatës së Drejtësisë së BE-së për vlerësim mbi përputhshmërinë e dekretit qeveritar me ligjet evropiane.

Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian pritet të japë një vendim mbi këtë çështje më 25 shkurt.

Vendimet e Gjykatave shkaktuan përplasje mes magjistratëve dhe Qeverisë. Kjo e fundit artikuloi akuza te forta ndaj gjyqtarëve që dhanë vendimet që rrëzonin Qeverinë.